Një 43-vjeçar shqiptar është arrestuar pasi akuzohet për tentativë vrasjeje të bashkëshortes së tij, pasi nuk pranonte ndarjen që ajo i kishte kërkuar pas largimit nga shtëpia.
Nëna e fëmijëve mbeti e plagosur rëndë me një plagë në qafë, dhe do të kishte humbur jetën nëse nuk do vetëmbrohej nga goditjet e pandërprera të autorit.
Sulmi u bë me një hanxhar mishi, që u sekuestrua si provë materiale brenda makinës së shqiptarit. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Materës, në Toskana.
Policia njoftoi sot arrestimin e 43-vjeçarit, që përballet me disa akuza të rënda. Gruaja po mjekohet në spitalin Policoro, ku njoftohet se është jashtë rrezikut për jetën, edhe pse ka plagë në qafë e trup.
Sipas hetimeve paraprake, për shkak të dhunës së përsëritur fizike dhe psikologjike, nëna e tre fëmijëve, po shqiptare, i kishte marrë ata duke ikur nga shtëpia dhe u strehua në zonën e Novo Siri.
Por 43-vjeçari e ka përndjekur dhe dy ditë më parë i zuri rrugën duke e sulmuar në mënyrë të frikshme me hanxhar.
Ai u përpoq të finalizonte krimin, por ndërhyrja e menjëhershme e karabinierëve e bëri të largohej. Pas ndjekjes së makinës, efektivët arritën ta ndalonin.
Policia tha se gjatë kontrollit të dhomës së hotelit ku po qëndronte përkohësisht autori, u gjet edhe një sasi kokaine, që gjithashtu u mor si provë materiale, informon media italiane.
Me urdhër të Prokurorit Publik në detyrë në Zyrën e Prokurorit Publik të Materas, i cili koordinoi hetimin, i ndaluari u dërgua në burgun lokal.
Gjykatësi i Hetimeve Paraprake, pasi vlerësoi arrestimin, u pajtua me pretendimin e prokurorisë dhe tentativën e dyshuar për vrasje të grave, urdhëroi që burri shqiptar të mbahej në paraburgim.









