Një shqiptare është përplasur për vdekje nga një makinë përgjatë rrugës shtetërore 18, pranë një rrethrrotullimi në Santa Cecilia, në Eboli të Italisë.
Viktima është Xhulijana Guna, 34-vjeçare shqiptare, por prej kohësh e transferuar në Eboli.
Ajo ndodhej në buzë të rrugës dhe papritur u përplas nga një makinë e drejtuar nga një grua 37-vjeçare, e cila e tërhoqi zvarrë mbi asfalt deri pranë një stacioni autobusi.
Shqiptarja, për fat të keq, ndërroi jetë menjëherë pasi u përplas.
Alarmi për ndihmën e shpejtë u dha nga shoferët e tjerë. Në vendngjarje mbërritën patrullat e karabinierëve, të cilët konstatuan vdekjen e gruas.
Drejtuesja e makinës, pasi përplasi të huajën, u ndal për të dhënë ndihmën e parë. Me të ndodheshin edhe fëmijët e saj, asnjëri prej të cilëve nuk mbeti i plagosur.
Aksidenti rrugor ndodhi rreth orës 9 të mëngjesit të djeshëm dhe forcat e rendit, që mbërritën në rrugën shtetërore 18, e bllokuan rrugën për të kryer matjet dhe verifikimet e nevojshme për të rindërtuar dinamikën e aksidentit fatal.
Makina që përplasi shqiptaren, u sekuestrua.
Gruaja që ishte në timon të automjetit ndodhet në gjendje shoku. Hetuesit duhet të përcaktojnë shkaqet e aksidentit dhe arsyen pse makina përplasi shqiptaren, e cila duket se sapo kishte kaluar rrugën.
Për momentin është përjashtuar mundësia që drejtuesja e makinës të ketë pësuar një gjendje të papritur shëndetësore dhe më pas ta ketë përplasur gruan që humbi jetën. Duhet të verifikohet edhe shpejtësia e automjetit në momentin e përplasjes.










