Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, ka refuzuar t’i përgjigjet deklaratës së eurodeputetit grek, i cili u ankua në KE për prishjen e disa banesave në Himarë. Për komisionerin Hahn duket se prishja e këtyre shtëpive nuk ka asnjë lidhje me të drejtat e minoriteteve. Në përgjigje të tij për minoritetet, Hahn u shpreh se shtetet kanë ligjet e tyre, por dhe praktikat e tyre sa i përket çështjes së respektimit të të drejtave të minoriteteve.
“Të drejtat e minoritetit janë të drejta kyçe për BE. Shoqëritë apo shtetet duhet të zbatojnë të drejtat e minoriteteve, them se nuk duhet zbatuar thjesht ligji, por duhet dhe praktika që ndjekin shtetet. Komunikimi me këtë rajon me Ballkanin Perëndimor shihet që ka një komunikim mes vendeve dhe sa i përket financimeve duhet të ketë financime dhe për qytetarët e thjeshtë. Fondet duhet të shkojnë tek qytetarët tek ata që preken çdo ditë. Duhet të punojmë për të korrigjuar së bashku”, u shpreh Hahn.
Çështja e prishjes së disa banesave në Himarë dhe pretendimeve greke se po cënohen të drejtat e njeriut, i është përgjigjur një javë më parë edhe kryeministri Rama. Kreu i qeverisë shqiptare sqaroi se Himara është shqiptare dhe si e tillë është pjesë e projketeve shqiptare të urbanizimit dhe nuk bëhet aspak fjalë për cënim të të drejtave të minoritetit. Kreu i qeverisë shqiptare ka injoruar gjithashtu reagimet e zyrtareve të Athinës për këtë projekt të Bashkisë së Himarës që nuk ka asnjë lidhje me cënim të të drejtave të minoritetit. E ngjashme ka qënë sot edhe sjellja e Komisionerit për Zgjerimin, Johanes Hahn i cili nuk e konsideron si cënim të të drejtave të minoritetit këtë rast të Himarës.