Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale lidhur me krizën e emigrimit të shqiptarëve, duke theksuar se largimi masiv i qytetarëve, veçanërisht i të rinjve, është pasojë e një sistemi ekonomik dhe institucional të manipuluar që nuk shpërblen meritën dhe konkurrencën.
Sipas Tabakut, Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq të dytë historik. Në fillim të viteve ’90 vendi ishte në një udhëkryq për demokracinë dhe integrimin europian, ndërsa sot përballet me një udhëkryq ekonomik që po i detyron qytetarët të largohen sërish masivisht nga vendi.
Duke iu referuar të dhënave të Eurostat, Tabaku theksoi se vetëm gjatë vitit 2024 rreth 44 mijë shqiptarë janë larguar drejt vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa në periudhën e pandemisë 2021–2022 vendi ka humbur rreth 180 mijë qytetarë për shkak të emigrimit.
Deputetja e opozitës nënvizoi se fenomeni është veçanërisht alarmant për shkak se rreth 60% e atyre që largohen janë të rinj, të cilët sipas saj nuk shohin mundësi reale për të ndërtuar jetën në Shqipëri.
“Janë të rinjtë që përballen me koston në rritje të jetesës, me çmime që rriten çdo ditë dhe me të ardhura gjithnjë e më të ulëta. Janë të rinjtë mbi të cilët bien taksat më të larta dhe që përballen me mungesë mundësish ekonomike”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj, problemi nuk lidhet vetëm me tregues ekonomikë, por me mënyrën se si funksionon sistemi në vend. Tabaku argumentoi se Shqipëria ka sot një sistem që nuk vlerëson meritokracinë dhe garën e ndershme, ndërsa ekonomia është përqendruar në pak duar, duke kufizuar mundësitë për bizneset dhe investimet.
“Ka një ekonomi të kapur në pak duar dhe një mungesë gare që reflektohet në çdo sferë, nga ekonomia te administrata publike. Kjo është arsyeja kryesore pse të rinjtë largohen dhe pse bizneset mbyllen”, theksoi ajo.
Tabaku shtoi se rënia e investimeve dhe ftohja e ekonomisë nuk janë zhvillime të papritura, por rezultat i një ndryshimi strukturor që ka ndodhur ndër vite në modelin ekonomik të vendit.
Në fund të reagimit të saj, deputetja e PD theksoi se zgjidhja kërkon një ndryshim të thellë të sistemit ekonomik dhe të mënyrës së funksionimit të shtetit.
“Këtë duhet të ndryshojmë: një sistem ekonomik që sot është peng i pak duarve dhe që po i detyron shqiptarët, veçanërisht të rinjtë, të largohen nga vendi”, u shpreh Tabaku.








