Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj që synon pezullimin e përkohshëm të taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit për benzinën, gazoilin dhe biokarburantet deri në mars 2028. Nisma i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe mban firmat e deputetëve Tedi Blushi, Edmond Haxhinasto, Erisa Xhixho dhe Brunilda Haxhiu.
Sipas relacionit, projektligji vjen si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve të karburanteve, të ndikuara nga zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe krizat e mëparshme ndërkombëtare.
Partia e Lirisë argumenton se mbi 60% e çmimit të naftës në Shqipëri përbëhet nga taksa dhe akciza, duke e bërë vendin me çmimin më të lartë të karburanteve në rajon, ndërkohë që pagat dhe fuqia blerëse mbeten ndër më të ulëtat në Europë.
“Konflikti që ka nisur tashmë në Lindjen e Mesme sipas parashikimeve të ekspertëve dhe Konfindustrisë do të sjellë një rritje të mëtejshme të çmimit të karburanteve. Jemi përpara një situate si ajo e vitit 2022, kur nisi lufta në Ukrainë, duke sjellë si pasojë rritjen e çmimit të karburanteve dhe rrjedhimisht edhe atë të të gjitha mallrave.
Në kushtet kur kërkohet që kjo situatë të adresohet sa më parë me zgjidhje konkrete për qytetarët, ne po paraqesim një nismë ligjore, objektivi i të cilës është zbutja e efekteve të rënda ekonomike mbi buxhetet familjare dhe bizneset si pasojë e rritjes drastike të çmimit të karburanteve dhe lëndëve djegëse.
Situata ekonomike në Shqipëri, prej vitesh përballet me rritjen shumë të lartë të çmimeve të karburanteve. Për pasojë janë rënduar në mënyrë kritike buxhetet familjare si dhe janë krijuar probleme tepër të mëdha te bizneset, duke vështirësuar funksionimin e tyre dhe realizimin e të ardhurave, të cilat nga ana tjetër kanë rol përcaktues në buxhetin e shtetit.
Çmimi i naftës është një padrejtësi e madhe ekonomike që kjo qeveri e ushqen çdo ditë dhe që ndikon direkt në çmimin e ushqimeve.
Në Shqipëri, qytetarët paguajnë rreth 1.83 euro për litër.
Në Kosovë rreth 1.18 euro.
Në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi rreth 1.27 euro.
Shqipëria ka çmimin më të lartë të karburanteve, ndërkohë që ka pagat më të ulëta dhe fuqinë blerëse më të dobët në Europë. Kjo nuk është rastësi, por zgjedhje e qëllimshme politike.
Mbi 60% e çmimit të naftës janë taksa, akciza dhe TVSH. Çdo rritje e naftës reflektohet menjëherë në rritjen e çmimeve të ushqimeve, të transportit dhe të çdo shërbimi. Sot, qytetarët paguajnë më shtrenjtë bukën, qumështin, vajin dhe çdo produkt bazë, sepse qeveria ka zgjedhur të taksojë rëndë karburantin.
Shqetësimi më i madh i qytetarëve shqiptarë sot është kostoja e dyfishuar e jetesës në 3-4 vitet e fundit. Shqiptarët shpenzojnë 40% të buxhetit familjar për ushqim dhe paguhen më pak se të gjithë qytetarët e BE-së. Çmimet në Shqipëri janë 50% më të larta se në Europë. Në vitin 2025 sipas Eurostat, 55% e qytetarëve nuk mbyllnin dot muajin.
Në kushtet e inflacionit të lartë të viteve të fundit dhe rritjes së kostove të jetesës, sidomos në ushqime dhe energji, bëhet e nevojshme që politika fiskale të ndërhyjë në mënyrë të drejtpërdrejtë për të ndihmuar qytetarët.
Paga minimale në Shqipëri është jo vetëm më e ulëta në Europë, por dhe shumë më e vogël edhe në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga 1 janari, paga minimale në Shqipëri është 50 mijë lekë, ndërkohë që Mali i Zi e ka 670 euro, Serbia 618 euro, Maqedonia e Veriut 584 euro, ndërsa Bosnjë-Hercegovina 660 euro.
Situata shumë e rëndë për konsumatorët familjarë dhe bizneset kërkon ndërhyrje të
menjëhershme dhe konkrete për t’u ardhur në ndihmë atyre: së pari për të mos thelluar varfërinë dhe së dyti për të bërë çfarë të jetë e mundur që biznesi të funksionojë sa më normalisht, duke mbrojtur në radhë të parë punësimin në këto biznese si dhe krijimin e të ardhurave, të cilat janë njëherazi dhe një burim themelor për arkën e shtetit.
Duke vlerësuar këtë situatë, kemi propozuar pezullimin deri në mars të vitit 2028 të aplikimit të “Taksës së Qarkullimit’ dhe “Taksës së Karbonit’ si një mjet për zbutjen e rritjes së çmimit tepër të lartë të naftës për t’u ardhur në ndihmë buxheteve familjare dhe bizneseve.
Një propozim i tillë, nuk krijon problem në planin e të ardhurave të miratuar nga qeveria me ligjin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2026 pasi të ardhurat e realizuara në buxhet nga TVSH-ja janë rritur dhe do të vazhdojnë të rriten ndjeshëm si pasojë e rritjes në tërësi të çmimeve. Kjo nismë do të ndihmojë gjithashtu që konsumi i familjeve shqiptare dhe ecuria e biznesit të ketë qendrueshmëri.
Për këto arsye, shumë të rëndësishme, miratimi i këtij projektligji me procedura të përshpejtuara për shkak dhe të situatës kritike është domosdoshmëri. Kjo është rruga e vetme për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset në kapërcimin e këtij momenti shumë të vështirë, ndërkohë që nisma të tilla janë ndërmarrë në vite gjerësisht në vendet e rajonit dhe më gjerë si: Kosova, Greqia, Serbia etj”, deklaroi Blushi.








