Dy automjete janë përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit në zonën e Skelës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnatës, kur banorët e lagjes kanë konstatuar zjarrin në një automjet tip foristradë Mercedes, i cili kishte marrë flakë në pjesën e përparme, në zonën e motorit.
Sipas informacioneve paraprake, flakët janë përhapur me shpejtësi dhe kanë përfshirë edhe një automjet tjetër tip BMW, i cili ndodhej i parkuar pranë mjetit.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakeve. Megjithatë, të dy mjetet kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe Policia, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të zjarrit.
Uniformat blu kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe ambienteve përreth, me qëllim identifikimin e shkakut që çoi në djegien e dy automjeteve.
Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për zjarr aksidental apo të qëllimshëm.








