Ambasada e Francës në Shqipëri ka reaguar pas hedhjes së molotovëve në ish-rezidencën e diktatorit Enver Hoxha, gjatë protestës së organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë.
Në reagimin zyrtar, ambasada dënon me forcë aktet e dhunës, duke theksuar se mbrëmja e djeshme arriti një nivel të papranueshëm me sulmin ndaj “Vila 31 – Fondacioni Art Explora”.
Sipas deklaratës, Vila 31 është që nga viti 2025 një rezidencë për artistë ndërkombëtarë, e menaxhuar nga një fondacion francez, me qëllim nxitjen e shkëmbimeve kulturore dhe forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Evropës.
“Organizatorët nuk mund ta injoronin këtë fakt. Vënia në rrezik e rezidentëve dhe dëmet e shkaktuara janë të patolerueshme”, thuhet në reagim.
Ambasada thekson se e drejta për të protestuar është legjitime, por ajo nuk është e pajtueshme me asnjë formë dhune, duke u bërë thirrje organizatorëve të protestës që të tregojnë përgjegjësi.
gijotina.com/








