Prej 1 muaji, banorët e Rrjollit kundërshtojnë ndërtimin e resortit luksoz të botuesit dhe ndërtuesit Bashkim Ulaj, pretenduar në tokat e tyre. Përplasjet e banorëve me efektivët e policisë sa vijnë dhe përshkallëzohen nga dita në ditë teksa ata tentojnë që të bllokojnë punimet e kompanisë së Ulajt “Gener 2”.
Banorët shihen me duar të gjakosura, ndërsa policia është bërë gardh para tyre për t’i ndaluar të futen në kantier. Dy prej qytetarëve kanë pësuar lëndime si pasojë e përplasjeve të dhunshme me policinë dhe janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Banorët e Rrjollit zotohen për të mos hequr dorë nga prona e tyre. Disa ditë më parë, familjes Malaj i është njohur e drejta e pronësisë mbi një sipërfaqe prej 20,700 m², rreth 2.1 hektarë, në fshatin Rrjoll në Velipojë, në një zonë kufitare me vendin po ndërtohet resorti “Blue Borgo”.
Vendimi u dha nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, e cila pranoi pjesërisht padinë e Nikollë Malajt kundër Agjencisë së Trajtimit të Pronave, një proces gjyqësor i nisur që në vitin 2018 dhe që zgjati 8 vite.
Duke qenë se beteja është fituar për 2.1 hektarë, banorët shpresojnë se do të merret një vendim pozitiv nga Gjykata edhe për zonën ku Ulaj po ndërton. Kjo pasi, sipas tyre, Fatmir Shpellzaj, ish-drejtor kadastre, pretendon se zotëron tokën ku Ulaj po ndërton, ka falsifikuar dokumentet për marrjen e saj në pronësi.
Punimet për ndërtimin e “Blu Borgo”-s në një sipërfaqe prej 146 hektarësh, Bashkim Ulaj i nisi në fillim të shkurtit pasi mori lejen e ndërtimit. Projekti parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Subjekti zhvillues është shoqëria “ABA Blue Borgo”, me statusin e investitorit strategjik.










