Një delegacion i nivelit të lartë i Partisë Popullore Europiane (PPE) vizitoi Shqipërinë, duke zhvilluar takime me përfaqësues të Partisë Demokratike, diplomatë, ekspertë zgjedhorë, organizata të shoqërisë civile dhe media.
I udhëhequr nga Sekretarja e Përgjithshme Dolors Montserrat dhe nënkryetarja Mairead McGuinness, delegacioni riafirmoi mbështetjen e PPE për integrimin europian të Shqipërisë mbi bazën e meritës, ndërsa shprehu shqetësim të thellë për pavarësinë e gjyqësorit, funksionimin e shtetit të së drejtës dhe lirinë e medias.
Në një postim në rrjetet sociale, PPE theksoi se dobësimi i demokracisë në vend është shqetësues dhe nënvizoi se një opozitë e bashkuar dhe e fortë mbetet thelbësore për të garantuar llogaridhënie ndaj qytetarëve. Delegacioni gjithashtu bëri thirrje për reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe territoriale, me qëllim sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
Postimi i Plotë:
I udhëhequr nga Sekretarja e Përgjithshme e PPE-së, Dolors Montserrat, dhe nënkryetarja e PPE-së, Mairead McGuinness, tridhjetë përfaqësues të familjes së PPE-së vizituan Shqipërinë, duke zhvilluar takime me partinë anëtare shqiptare, Partinë Demokratike, diplomatët, ekspertë zgjedhorë, organizata joqeveritare dhe media.
PPE mbështet rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian mbi bazën e meritës, por thekson nevojën për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, shtetit të së drejtës dhe lirisë së medias, përballë një qeverie që ka kapur shtetin.
Të shqetësuar për dobësimin e demokracisë, delegacioni i PPE-së bën thirrje për një opozitë të bashkuar dhe të fortë për të siguruar llogaridhënie, si dhe për reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe territoriale, që të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.






