Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryediplomatin amerikan, Marco Rubio, në Departamentin amerikan të Shtetit.
Osmani tha se me sekretarin amerikan të Shtetit ka diskutuar për mundësitë e forcimit të “aleancës sonë si dhe si dhe hapat konkretë në këtë drejtim që kanë rëndësi jetike për popullin tonë”.
“Në veçanti, e falënderova për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen vendimtare amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për prezencën ushtarake amerikane në Kosovë si prezencë kyç për paqen e stabilitetin në rajon. Diskutuam për rëndësinë e madhe të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit tonë strategjik”, tha Osmani përmes një postimi në Facebook.
Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka shkruar në rrjetet sociale për takimin që pati sot në Departamentin Amerikan të Shtetit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai njoftoi në X se e falënderoi Osmanin dhe popullin e Kosovës për angazhimin në Bordin e Paqes.
“U takova me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe e falënderova atë dhe popullin e Kosovës për angazhimin e tyre për paqen dhe stabilitetin duke qenë anëtare themeluese e Bordit të Paqes.
Gjithashtu falënderova Presidenten Osmani për kontributet e saj në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza”, shkruan zyrtari i lartë amerikan.
I met with President @VjosaOsmaniPRKS and thanked her and the people of Kosovo for their commitment to peace and stability by being a founding member of the Board of Peace. I also thanked President Osmani for her contributions to the International Stabilization Force in Gaza. pic.twitter.com/iB3reNY1Ok
— Secretary Marco Rubio (@SecRubio) February 20, 2026










