Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar për sot në orën 18:00 në Tiranë.
Në deklaratën e tij për media, ai e cilësoi datën 20 shkurt si një ditë me rëndësi historike, duke e krahasuar me 20 shkurtin e vitit 1991, që sipas tij shënoi fillimin e pranverës së demokracisë në Shqipëri.
Berisha deklaroi se 20 shkurti i vitit 2026 do të sjellë një “pranverë të re” dhe u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen, pavarësisht bindjeve politike apo mendimeve të ndryshme.
“Sot është dita e historisë, jo vetëm e 20 shkurtit të vitit 1991, por po kaq e 20 shkurtit të vitit 2026.
20 shkurti i vitit 1991 solli pranverën e demokracisë. Solli çlirimin e Shqipërisë nga kulti më mizor që shqiptarët kishin njohur në tërë historinë e tyre.
20 shkurti i vitit 2026 do të sjellë pranverën e re, do të sjellë përmbysjen e hajdutit më të keq, më të pamëshirë që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre.
Ndaj dhe jam këtu për të ftuar çdo qytetar shqiptar, çdo opozitar, qytetarë të të gjitha bindjeve, të të gjitha besimeve, pavarësisht se çfarë mendimesh, opinionesh, kritikash, pakënaqësirash, objeksionesh që mund të kemi për njëri-tjetrin, të bashkohemi të gjithë kundër kësaj të keqe që po shterron lëndën tonë kombëtare, kombin tonë.
Po shkatërron Shqipërinë. Sot është një ditë që çdo qytetar të shprehë zemërimin e tij në sheshin e dinjitetit, e guximit, e misionit. Ndaj dhe edhe njëherë, ftesa ime për mbarë shqiptarët, në një uragan të fuqishëm që Tirana nuk e ka parë nga viti 1991, të bashkohemi për të firmosur së bashku fundin e këtij regjimi dhe fitoren e të ardhmes tonë. Fitoren tonë,” tha Berisha.
Ai deklaroi se protesta e paralajmëruar do të jetë paqësore, ndërsa akuzoi Policinë e Shtetit për provokime dhe tentativë për të frikësuar qytetarët përpara tubimit.
Në një prononcim për mediat, Berisha hodhi akuza të forta ndaj zyrtarëve të qeverisë, duke pretenduar se disa prej tyre po “arratisen” nga frika e hetimeve, ndërsa i bëri thirrje organit të akuzës të bllokojë pasaportat e çdo zyrtari që ka çështje të hapura në SPAK.






