Sot opozita do të dalë sërish të protestojë para Kryeministrisë për të kërkuar largimin e qeverisë Rama.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, pas skandaleve të fundit që kanë tronditur edhe qeverinë.
Kryedemokrati Sali Berisha, ka ftuar qytetarë nga e gjithë Shqipëria të bashkohen në shesh, duke nënvizuar se kjo protestë nuk është vetëm për një ditë, por për të ardhmen e vendit dhe të demokracisë.
Berisha u ka bërë paralajmërim edhe efektivë të policisë të mos dhunojnë protestuesit.
Protesta do të mbahet në orën 18:00 ku protestuesit do të nisin të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë.
Policia ka marrë masat për mbarëvajtjen e tubimin. Kujtojmë se protesta e 10 shkurtit zgjati 3 orë, duke u zhvendosur nga Kryeministria te Kuvendi.
Gjatë kësaj kohe, pati përplasje të shumta me policinë, hedhje lëndësh piroteknike, molotovë, gurë dhe përleshje fizike me forcat e rendit, ku kjo e fundit u kundërpërgjigj me ujë, gaz lotsjellës dhe arrestime të shumta.
Gjatë fjalës së tij përmbyllëse nga selia blu, kreu demokrat Sali Berisha tha se qytetarët e zotëruan qytetin me vendosmërinë e tyre duke e cilësuar si një kryengritje paqësore, ndërsa hodhi akuza në drejtim të efektivëve të policisë, që sipas tij sulmuan dhe dhunuan padrejtësisht protestuesit.
Përshkallëzimi i protestës solli gjithashtu pasoja, pasi për shkak të lëndëve të përdorura në tubim u lënduan protestues, përfaqësues të opozitës, efektivë policie dhe qytetarë








