Në debatet në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, hodhi akuza drejt mazhorancës duke thënë se raporti paraprak i Komisionit të Jashtëm të PE tregon regres, në vend të progresit që krenohet qeveria.
Ndër të tjera, ai e pyeti Elisa Spiropalin nëse do t’i hiqet imuniteti Ballukut.
“Mbroje Ballukun se të merr me vete. Nuk është sajesë as e opozitës, as e mediave ndërkombëtare korrupsioni i qeverisë suaj. S’është sajesë që raporti i dorëzuar në Komisionin e Jashtëm të PE thotë të kundërtën dhe është i përgatitur nga partia simotër juaja në Parlamentin Europian. Thotë që ka probleme madhore me korrupsionin, ndërhyrjen e qeverisë në pushtetin gjyqësor, moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha këto probleme tregojnë regres. Ballukun nuk e kemi akuzuar ne, e ka akuzuar ylli i Reformës në Drejtësi, SPAKU-u. Do ia hiqni imunitetin Ballukut apo do të ktheheni në bunker?”, tha Bardhi.
Spiropali mohoi mbrojtjen ndaj Ballukut, ndërsa Bardhi nuk hoqi dorë nga akuzat se retorika e progresit nuk përputhet me veprimet e mazhorancës. Ai tha se grupi parlamentar i PS ka marrë urdhër nga kryeministri Rama që të kthehet në “lëkurë këpuce për SPAK”.
“Integrimi europian nuk realizohet dot me ato që kryeministri i ka lënë në mbledhjen e grupit parlamentar, ku keni qenë dhe ju, shprehimisht ka thënë: ‘ju të gjithë do të jeni lëkurë këpuce për SPAK-un’. Ata që shndërrojnë Kuvendin në këpucë lëkure për SPAK-un, e çojnë vendin mbrapa. Me rastin Balluku po pengoni procesin e integrimit”, tha Bardhi.







