Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, ka reaguar me kritika kundrejt Shqipërisë, për çështjen e integrimit në Bashkimin Europian.
Në një konferencë për media, ai ka rrëfyer takimin e zhvilluar me Edi Ramën, ndërsa ka deklaruar se nuk ka vend për vetëkënaqje dhe se Shqipëria duhet të punojë më shumë në këtë fazë për të përmbushur detyrimet.
Ai ka deklaruar gjithashtu se, Bashkimi Europian është i shqetësuar sa i përket polarizimit politik në vendin tonë ndërsa ka udhëzuar partitë politike për dialog.
“Nisëm vizitën tonë në Podgoricë të hënën dhe dje kishim vizita me kryeministrin Rama. Sot takimet ishin në nivel Kuvendi. Komiteti për Punët e Jashtme po punon në lidhje me raportin për Shqipërinë që do të prezantohet javën tjetër në Bruksel në PE. Ashtu siç e përmenda, kishim takim me Ramën dhe ministren e Jashtme Spiropali, Peleshin, Igli Hasanin, dhe liderë të partive opozitare.
Mbështesim fuqimisht Shqipërinë në rrugëtimin europian dhe njohim rezultatet e forta që keni pasur. Hapja e të gjitha kapitujve në vetëm 13 muaj është arritje e madhe. Nuk ka ven për vetëkënaqje, Shqipëria duhet të punojë edhe më shumë në këtë fazë për të përmbushur detyrimet.






