19 shkurti do ta gjejë kryeministrin Edi Rama në Shtëpinë e Bardhë në Washington për të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes.
Kjo u pohua vetë nga kryemistri gjatë podkastit të përjavshëm Flasim.
“Më ka ardhur këtë javë ftesa nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim për atë që e kam paralajmëruar, kur ajo tufa e bombave artizanale, plaste dhe kërciste edhe në sallën e Kuvendit, me gjithfarëlloj pretendimesh që sot i nxjerrin përsëri qesharakë, duke thënë se unë nuk shkoj dot, se mua s’më kanë ftuar,se,se,se… Dhe faktikisht, siç e paralajmërova, do të jem në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të atij bordi, ku Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues dhe ku Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes.”-tha Rama.
BE didistancohet
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nuk do të marrë pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes, të planifikuar më 19 shkurt në Uashington. Përmes zëdhënësit të saj, Anouar El Anouni, Komisioni Europian bëri të ditur se Brukseli ka ende pikëpyetje mbi statutin e “Bordit të Paqes”, veçanërisht për fushëveprimin, qeverisjen dhe përputhshmërinë me Kartën e OKB-së.
Megjithatë, BE mbetet e gatshme të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zbatimin e një plani paqeje në Gazë.
Ndërkaq, sipas raportimit të “New York Times”, në takimin joformal në Uashington pritet të prezantohet një plan prej miliarda dollarësh për rindërtimin e rripit të Gazës. SHBA dhe Emiratet e Bashkuara Arabe thuhet se janë gati të investojnë secila nga 1 miliard dollarë në këtë projekt.
Po ashtu, disa nga 20 vendet pjesëmarrëse pritet të ofrojnë mijëra trupa për krijimin e një force sigurie që do të vendoset në territor, duke shënuar një hap të ri në përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e rajonit.
gijotina.com/






