Një analizë e publikuar nga Organisation for Economic Co-operation and Development (OECD) në edicionin Competition Policy in Eastern Europe and Central Asia hedh dritë mbi zhvillimet e tregjeve ushqimore në Shqipëri gjatë periudhës 2022–2025, duke evidentuar luhatjet e çmimeve, strukturën e tregut dhe rolin e institucioneve në mbrojtjen e konkurrencës dhe të konsumatorëve.
Raporti thekson se produktet bazë të shportës ushqimore, si buka, mielli, vaji, orizi, sheqeri, vezët, frutat dhe perimet, përbëjnë segmentin më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të çmimeve dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në inflacion dhe buxhetet familjare.
Sipas artikulllit të OECD, tregjet ushqimore shqiptare u përballën me presion të fortë gjatë viteve 2022–2025, për shkak të pandemisë COVID-19, krizës energjetike dhe luftës në Ukrainë. Këto zhvillime sollën ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit, rritje të inputeve bujqësore dhe shtim të kostove të transportit.
Një faktor vendimtar mbetet varësia e lartë nga importet për produkte kyçe, si vajrat vegjetalë, sheqeri, drithërat dhe orizi, çka e bën tregun vendas të ndjeshëm ndaj luhatjeve ndërkombëtare të çmimeve.
Hetimi për vajin e lulediellit: 80 importues dhe varësi totale nga importi
Në vitet 2022–2023, Autoriteti i Konkurrencës zhvilloi një hetim të thelluar në tregun e vajit vegjetal, me fokus të veçantë te vaji i lulediellit. Raporti tregon se kërkesa në Shqipëri plotësohet 100% nga importet dhe se rreth 80 ndërmarrje importojnë vaj të rafinuar, qoftë në formë vaji me shumicë, qoftë të ambalazhuar me marka të huaja.
Shumica e ndërmarrjeve të klasifikuara si “prodhues” merren vetëm me ambalazhimin e vajit të importuar, ndërsa rafineritë e dikurshme për përpunimin e vajit bruto janë mbyllur ose kanë falimentuar.
Analiza e çmimeve tregoi se në periudhën janar–shkurt 2022 pati rritje të përgjithshme të çmimeve, në një kohë kur Ukraina, që prodhon rreth 45–50% të vajit të lulediellit në botë, u përfshi në konflikt. Rritja e çmimeve me shumicë përkoi me rritjen e çmimeve të importit, ndërsa çmimet mesatare mujore mes operatorëve nuk rezultuan identike.
Përfundimi i hetimit ishte se nuk kishte prova për koordinim ose marrëveshje antikonkurruese mes ndërmarrjeve.
Në korrik 2023, Autoriteti i Konkurrencës përfundoi monitorimin e tregut të orizit dhe sheqerit. Gjetjet treguan se, megjithëse u regjistruan luhatje të ndjeshme të çmimeve, nuk kishte prova për sjellje të bashkërenduara apo praktika të ndaluara.
Sipas raportit, ndryshimet e çmimeve ishin kryesisht pasojë e rritjes së kostove të inputeve bujqësore dhe shpenzimeve të transportit, dhe jo rezultat i marrëveshjeve mes operatorëve.
Tregu i Bukës: Presioni i Energjisë dhe Miellit
Gjatë vitit 2024, vëmendja institucionale u përqendrua te tregu i bukës, si një nga produktet më të rëndësishme për konsumatorët. Rritja e kostove të energjisë dhe miellit krijoi presion mbi çmimet, por analiza tregoi se sektori karakterizohej nga një nivel i lartë konkurrueshmërie.
Burimet e ndryshme të furnizimit me miell, si vendase ashtu edhe të importuara, kontribuan në ruajtjen e konkurrencës. Megjithatë, OECD thekson se rritjet e menjëhershme të kostove mund të përdoren si justifikim për rritje të pajustifikuara të çmimeve, ndaj mbikëqyrja e vazhdueshme mbetet e domosdoshme.
Festat e Fundvitit: Monitorimi Dhjetor 2024 – Janar 2025
Sipas raportit, në periudhën 1 dhjetor 2024 – 15 janar 2025, Autoriteti i Konkurrencës monitoroi çmimet e produkteve bazë të shportës ushqimore, përfshirë bukën, miellin, orizin, vajin, vezët, kafenë dhe pijet freskuese.
Rezultatet treguan tendenca rritëse sezonale, të lidhura me kërkesën e shtuar gjatë festave. Megjithatë, nuk u identifikuan prova për koordinim të paligjshëm. Sipas raportit, ky monitorim shërbeu si një sinjal i fortë parandalues për tregun.
Frutat dhe Perimet: Përqendrimi Rajonal dhe Informaliteti
Në vitin 2025, u zhvillua një hetim i thelluar në tregjet e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të frutave dhe perimeve në Berat, Fier, Elbasan, Tiranë dhe Korçë. Analiza u fokusua në çmimet e blerjes nga fermerët, çmimet e shitjes, marzhet e fitimit dhe të dhënat financiare të operatorëve.
Raporti evidenton se tregu karakterizohet nga një numër i madh operatorësh të vegjël dhe të mesëm, ndërsa në zona si Fier dhe Lushnjë disa grumbullues të mëdhenj kanë rol të rëndësishëm në formimin e çmimeve. Sezonaliteti, importet dhe informaliteti ndikojnë ndjeshëm në konkurrencë.
Fermerët përballen me barriera serioze, si mungesa e magazinimit frigoriferik, akses i kufizuar në financa dhe varësi nga ndërmjetësit. OECD rekomandon rritjen e transparencës, forcimin e marrëdhënieve kontraktore dhe digjitalizimin e sistemit të çmimeve.
Raporti identifikon disa probleme të vazhdueshme strukturore. Varësia shumë e lartë nga importet e ekspozon tregun ndaj krizave ndërkombëtare. Fuqia e pabarabartë negociuese mes zinxhirëve të mëdhenj tregtarë dhe prodhuesve të vegjël krijon rrezik për praktika të padrejta. Informaliteti dhe mungesa e transparencës e vështirësojnë monitorimin e çmimeve, ndërsa barrierat në logjistikë, certifikim dhe shpërndarje kufizojnë konkurrencën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Një tjetër problem mbetet niveli i ulët i ndërgjegjësimit për të drejtat e konsumatorëve dhe parimet e konkurrencës.










