Sot ka nisur dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.
Luka Misetic, avokat i Hashim Thaçit, tha në fillim të deklaratës së tij përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë se klienti i tij është i pafajshëm.
Avokati kritikoi mënyrën e mendimit të Prokurorisë së Specializuar, që kërkoi 45 vjet burgim për secilin prej katër të akuzuarve.
“Hashim Thaçi është i pafajshëm”, tha fillimisht Misetic. “Para jush keni katër burra, për të cilët ligji thotë që duhet t’i prezumoni të pafajshëm”, shtoi ai.
Misetic tha se në këtë pikë trupi gjykues duhet të nisë argumentimin për marrjen e vendimit në këtë rast gjyqësor.
“Kjo është pikënisja juaj kur të filloni argumentimet për marrjen e vendimit. Ne e dimë që në këtë pikë të procedurës ai është i pafajshëm, pasi ligji ju kërkon juve që ta prezumoni atë të pafajshëm”.
Avokati i Thaçit u ka thënë gjykatësve se e sheh problematik faktin që në gjithë dosjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) janë shpërfillur të gjitha provat të cilat diskreditojnë provat dhe pretendimet e saj.
Në fjalën përmbyllëse në Gjykatën Speciale të Hagës, ai theksoi se akuza ka shpërfillur provat dhe dëshmitë.
Avokat nënvizoi se, Thaçi nuk ishte person që mund të kryente dhunë.
“Kur analizohen dhe shqyrtohen parashtrimet përfundimtare të ZPS-së është sikur të lexohet një kronikë apo analizë e një filmi të shkruar nga dikush që nuk e ka parë filmin.
Kur t’i filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas ju do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur juve, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor. Thaçi nuk ishte person që mund të kryente dhunë.
Pretendimet e ZPS-së se ndërkombëtarët nuk ishin të informuar saktë, është karakteristikë e veçantë duke marrë parasysh mënyrën e centralizuar të komunikatave të UÇK-së dhe intervistat në televizione. Provat dhe dëshmitë e këtyre dëshmitarëve ndërkombëtarë, rikonfirmohen fuqishëm nga zyrtarë të lartë të UÇK-së”, u shpreh avokati i Thaçit
Pasi të jepen të gjitha deklaratat përmbyllëse, që parashihet të kryhen deri më 18 shkurt, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, që ka tre muaj kohë për shpalljen e një aktgjykimi.
Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi po qëndrojnë në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë prej fillimit të nëntorit të vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.










