Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2025, i publikuar nga Transparency International së fundmi vuri në dukje se institucionet e dobëta dhe prapambetja demokratike po nxisin korrupsionin dhe po tkurrin hapësirën e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor, duke lënë rajonin në një nivel mesatar prej vetëm 34 pikësh nga 100 të mundshme.
Sipas raportit të posaçëm Rajoni i Ballkanit për një dekadë rresht nuk ka bërë hapa para me reformat. Korrupsioni po gjen terren për shkak të tkurrjes së hapësirës qytetare dhe kontrollit mbi institucionet e pavarura. Në rastin specifik të Shqipërisë, e cila vlerësohet me 39 pikë, raporti i këtij viti vendos gishtin në mungesën e transparencës në projektet strategjike të investimeve.
Një shembull konkret që përmendet në deklaratën zyrtare të CPI-së është rreziku i degradimit mjedisor në ishullin e Sazanit, ku procedurat e pakontrolluara dhe mungesa e konkurrencës e vënë pasurinë kombëtare në rrezik korrupsioni. Ky rast ilustron një tendencë më të gjerë rajonale ku qeveritë po pezullojnë rregullat e transparencës për t’u dhënë kompetenca të pakontrolluara projekteve me vlerë të lartë, duke gërryer besimin e publikut dhe duke e lënë mjedisin në mëshirë të interesave të investitorëve privatë.
Përqendrimi i pushtetit dhe ndikimi i tepruar mbi sistemin gjyqësor mbeten shqetësime kyçe, pasi këta faktorë po dobësojnë sistemin e kontrolleve dhe balancave që duhet të mbikëqyrin institucionet publike.
Ndërsa në Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit vihet re një presion i shtuar mbi shoqërinë civile dhe mediat e pavarura, reagimi gjyqësor mbetet i pafuqishëm për të goditur abuzimet në nivele të larta.
Kjo situatë krijon paradokse ku, ndonëse ligjet miratohen, zbatimi i tyre sabotohet nga sulmet qeveritare ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që guxojnë të hetojnë anëtarë të kabineteve. Ky trend prapambetës në Ballkan bie në kontrast të fortë me zhvillimet në vende si Ukraina dhe Moldavia, të cilat, pavarësisht presioneve të forta gjeopolitike, po forcojnë verifikimin gjyqësor dhe po arrijnë dënime në raste politikisht të ndjeshme falë një shoqërie civile mjaft aktive, vë në dukje raporti.
Transparency International nënvizon se për Shqipërinë, progresi i ardhshëm do të varet tërësisht nga vullneti politik për të mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit dhe për të siguruar që burimet natyrore, si ato në zonat bregdetare, të mos trajtohen si mallra për shkëmbim pa mbikëqyrje publike.
Pa këto ndryshime rrënjësore, konvergjenca me standardet demokratike të Bashkimit Evropian do të mbetet një aspiratë e largët, ndërsa qytetarët do të vazhdojnë të mbeten të prekshëm ndaj abuzimit të pushtetit të rrënjosur që po favorizon një pakicë në dëm të interesit të përgjithshëm kombëtar./ Monitor










