Këtë të martë Greqia është tronditur nga një aksident i rëndë që u mori jetën 7 tifozëve të skuadrës greke PAOK, ndërsa 3 të tjerë mbetën të plagosur. Për fat të keq, mes viktimave është konfirmuar edhe 29-vjeçari Vasil Palo me origjinë nga Korça, ndërsa mes të plagosurve është një tjetër shqiptar, i identifikuar si Genci Sadiku.
Të gjithë personat që po udhëtonin në këtë furgon ishin të moshës 25 deri në 30 vjeç.
Sipas autoriteteve rumune, furgoni tentoi të parakalonte një kamion-cisternë, por është përplasur kokë më kokë me një tjetër kamion.
Helikopterët e emergjencës nuk mundën të ndërhyjnë për shkak të kushteve të këqija atmosferike, ndërsa të plagosurit u dërguan në spitalin e qytetit Lugoj.
Ministria e Jashtme e Greqisë dhe ambasada greke në Bukuresht ndodhen në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet rumune, për identifikimin e viktimave dhe mbështetjen e familjarëve.
Klubi i PAOK ka shpallur zi dhe ka njoftuar se do të mbulojë të gjitha shpenzimet për kthimin e trupave dhe ndihmën ndaj të plagosurve. Dhjetëra tifozë të tjerë të PAOK që ishin nisur për në Lion janë kthyer në Greqi. Ndërkohë, kërkesa për anulimin e ndeshjes nuk është pranuar nga Federata Europiane e Futbollit.
Ngushëllime për aksidentin tragjik kanë shprehur gjithë liderët e partive greke, por edhe klubet e futbollit të Greqisë.
gijotina.com/










