Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për mobilizim të opozitës, duke e cilësuar protestën e nesërme si një moment vendimtar për qytetarët shqiptarë.
Në deklaratën për media, Berisha u shpreh se “nesër populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit të këtij kombi”, duke akuzuar kryeministrin dhe qeverinë për lidhje me krimin, shkelje të Kushtetutës dhe për keqqeverisje që, sipas tij, ka detyruar qindra mijëra shqiptarë të largohen nga vendi gjatë dekadës së fundit.
Pjesë nga fjala:
Nesër është prova e madhe, është dita e guximit, e revoltës, e zemërimit, e ngadhënjimit qytetar mbi të keqen më të madhe që ka mbërthyer Shqipërinë, që ka pllakosur këtë vend nga ditët e zeza të diktaturës hoxhiste gjer sot.
Nesër qytetarët, populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit të këtij kombi. I bën gjyqin kryeministrit të lidhur kokë e këmbë me vrasës, banditë, trafikantë.
I bën gjyqin antishqiptarit më të zi të kohërave që ka përzënë nga ky vend në 10 vite 1 milion e 100 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën evropiane, pa llogaritur hapësira të tjera.
Nesër i bën gjyqin një armiku të egër të lirive të shqiptarëve, të votës së tyre. Një njeriu që qëndron në pushtet duke përdorur çdo mjet të paligjshëm, duke shkelmuar Kushtetutën.
Por nesër është dita e gjykimit të popullit shqiptar për një organizatë kriminale që nuk e ka sot asnjë vend tjetër në Europë.
Rama ia mbath. Le të qëndrojë e ta provojë. Populli ka fuqi. Më datë 24 do tregojmë forcën dhe kreativitetin e opozitës. Vërtetë ky kryeministër përdor drejtësinë, kësaj here Rama është në rreth të kuq në mbarë botën”
Nuk e kam thënë kurrë që SHBA do marrë Ramën si Maduro. Kjo është teknikë e marrëdhënieve të tij publike, një teknikë shumë e ulët moralisht.
Të gjitha këto i nxjerr vetë ai. Ramën nuk e rrëzon as Amerika, as SKAP, por do e rrëzojë opozita. I përhap vetë Rama këto.
E kam bërë shumë të qartë se Ramën do e rrëzojnë qytetarët. Këto janë teknika, që Rama i përhap vetë. Janë mashtrime shumë të ulëta. Laburistët e përdorën këtë teknikë, por iu kthye në boomerang










