Ish-kandidati për deputet i Partisë Dermokratike, Aulon Kalaja, ka denoncuar këtë të mërkurë gjendjen skandaloze të rrugës kryesore, në Luz të Fushë-Krujës.
Në një reagim në rrjete sociale, Kalaja shkruan se rruga kryesore në këtë zonë, ndodhet në gjendje të amortizuar, ku reshjet e shiut kanë mbushur gropat duke u kthyer në burim rreziku për shumë shoferë mjetesh.
Sipas tij, gjendja është përkeqësuar edhe për shkak të çarjes së tubacioneve të ujit, ku ky i fundit bashkë me reshjet kanë vërshuar në rrugë duke vështirësuar qarkullimin.
Kalaja ka ngritur më tej akuza se kjo rrugë është lënë në mëshirë të fatit dhe pa asnjë investim prej vitesh.
“Asnjë investim për Luzin. Është një rrugë shumë e rëndësishme e Fushë-Krujës dhe ndodhet në gjendje të amortizuar prej shumë kohësh. Janë hedhur vetëm disa makina me çakull por kur bije shi rruga bëhet në këtë lloj gjëndje. Rruga është e amortizuar. Rrugën e ka amortizuar edhe më shumë çarja e tubacioneve të ujit. Luzi është totalisht i harruar, i lënë në mëshirë të fatit, pa asnjë lloj investimi. Skandal”, shprehet Kalaja ndër të tjera.









