Një 39-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Kavajës, pasi akuzohet se qarkullonte i armatosur në makinë.
Sipas policisë në pranga ka rënë shtetasi me inicialet Q. B., 39 vjeç, banues në Durrës, i cili është ndaluar për kontroll në lagjen nr. 1 të Kavajës.
Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë i gjetën të fshehura në një ndarje të posaçme (sirtar) ndërmjet dy sediljeve të automjetit një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Ndërkoë, nisi procedimi penal për pasagjerin që ndodhej në automjet, shtetasin E. B., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Moskallëzim krimi”.










