Tetë persona janë arrestuar pas arratisjes spektakolare të të dënuarit të rrezikshëm Altin Ndocit ditën e djeshme nga spitali Rajonal i Durrësit.
Mes 8 personave të arrestuar janë edhe zëvendës shefi i komanduar i policisë dhe kryeinfermieri.
Si ndodhi arratisja?
Rreth orës 13.00 të së martës ai është shoqëruar së bashku me një të dënuar tjetër nga dy efektivë policie në pavionin e infektivit. Në pritje të vizitës mjekësore ai ka kërkuar të shkojë në tualet. Me të dalë nga aty ka përfituar dhe ka goditur në befasi efektivin e policisë së burgjeve që po e ruante dhe menjëherë është larguar me vrap, ku e priste një automjet tip Audi i bardhë me të cilin është larguar.
Efektivi që e ndoqi Ndocin në arratinë e tij ka qëlluar me armën e tij të shërbimit në tokë dhe plumbi ka bërë rikoshet. Predha e tij përfundoi në shkallët e Infektivit, ndërsa gëzhoja e tij nuk është gjetur ende.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se nuk janë respektuar protokollet e shoqërimit për numrin e efektivëve të policisë së burgjeve që duhet të shoqërojnë personat e paraburgosur apo të dënuar gjatë vizitave të tyre mjekësore.








