Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike, ka vizituar një familje në zonën e Yzberishtit në Tiranë, vetëm pak minuta larg qendrës së kryeqytetit, duke sjellë në vëmendje realitetin e vështirë social dhe ekonomik me të cilin përballen mijëra familje shqiptare.
Gjatë vizitës, Tabaku u njoh nga afër me situatën e një familjeje me 8 fëmijë, ku ndihma ekonomike është ndërprerë dhe vetëm një anëtar i familjes është i punësuar. Sipas saj, ky rast nuk është përjashtim, por përfaqëson atë që ajo e cilësoi si “Shqipëria e shumicës”.
“Kjo është Shqipëria reale, jo ajo e propagandës, e tenderave dhe e koncesioneve milionëshe. Është Shqipëria e familjeve që jetojnë me vështirësi dhe që nuk mbrohen nga sistemi,” – u shpreh deputetja e PD-së.
Tabaku theksoi se ndihma ekonomike, në formën aktuale, është kthyer në një lëmoshë që nuk përballon rritjen e çmimeve dhe nuk garanton një jetë me dinjitet. Ajo nënvizoi se sistemi social dhe ekonomik nuk po funksionon për shumicën e qytetarëve, por është ndërtuar për të favorizuar pakicën, ndërsa familjet në nevojë lihen pas dore.
Sipas Tabakut, varfëria nuk është thjesht pasojë e rrethanave, por rezultat i një modeli të gabuar qeverisjeje, që nuk vendos në qendër familjen, punën dhe dinjitetin njerëzor.
Deputetja e Partisë Demokratike riafirmoi angazhimin e saj për të qenë pranë qytetarëve dhe për të punuar çdo ditë për politika që mbështesin familjet shqiptare, pavarësisht nëse ato jetojnë në qendër të Tiranës apo në zonat përreth. “Një shtet serioz matet nga mënyra se si trajton shumicën e tij, jo privilegjet e pakicës,” – theksoi ajo.
Reagimi i plotë:
E nisëm ditën me Marjon dhe Fredin në këtë familje, vetëm një kilometër larg qendrës së Tiranës.
Kjo familje është pasqyra më e qartë e realitetit që ka krijuar qeveria socialiste për familjet shqiptare.
Një familje me 8 fëmijë, me ndihmë ekonomike të ndërprerë, me vetëm një person të punësuar.
Kjo është Shqipëria e shumicës.
Shqipëria e shumicës nuk është ajo e tenderave dhe koncesioneve, as ajo e taksave 50 milionë euro dhe korrupsionit.
Kjo është mënyra se si jeton pjesa më e madhe e familjeve shqiptare, që kanë nevojë për ndihmë ekonomike.
Një ndihmë ekonomike që është kthyer në lëmoshë.
Një ndihmë që nuk është rritur prej vitesh, që nuk përballon rritjen e çmimeve dhe që e bën të pamundur një jetë me dinjitet.
Ky sistem ka prodhuar këto pasoja: varfëri.
Dhe është një fatkeqësi që sot varfëria është kthyer në temë të ditës.
Shpresoj shumë që ky realitet i trishtë të ndryshojë sa më shpejt.
Ne do të bëjmë të pamundurën. Do të punojmë çdo ditë për një arsye kryesore:
familjen shqiptare, dinjitetin, punën dhe mbi të gjitha jetesën me dinjitet për çdo familje shqiptare,
qoftë ato në qendër të Tiranës, qoftë ato vetëm pak kilometra më larg.










