Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ka humbur lidhjen me realitetin. Tek kjo zyrtare, porositë kanë zvëndësuar ligjin, ndjeshmëria për njerëzit ka humbur përballë parave të korrupsionit. Në këto kushte buxheti i krijuar nga taksapaguesit u ndahet kompanive të favorizuara në tendera pa garë. Janë të njëjtët binzesmenë që marrin në Durrës prej dy dekadash qindra milionë euro për rrugët, kanalet, pusetat! Ndërsa qyteti vazhdon të përmbytet.
Të paktën këto lloj tenderash, nga të cilat varet largimi i ujërave dhe shmangia e përmbytjeve, nuk duhet të vidheshin. Ja shembulli më i fundit, vepër e kryebashkiakes Sako. “Skualifikim i të gjithe operatorëve konkurrues përvec fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, ky është përshkrimi që i bëhet tenderit të Sakos nga Open Data Albania.

Procedura është shënuar me “Flamur të kuq” që sinjalizon riskun e korrupsionit. E thënë më thjesht, paralajmërohet vjedhja e 400 milionë lekëve të destinuara për kanalin e ujërave të larta në Spitallë. Pikërisht aty ku nisi përmbytja para dy ditësh.
Për këtë tender, kontrata është lidhur më 30 dhjetor 2025. Nuk i doli koha githë vitin Sakos që ta bënte këtë pazar, por e la një ditë para Vitit të Ri.
Më konkretisht, ky është prokurimi i Bashkisë Durrës me objekt “Rehabilitim i kanalit të ujërave të larta Spitallë-Porto Romano (Faza 3)”.
Fondi Limit i financuar me buxhetin vitit 2025 të miratuar nga Këshilli Bashkiak është 36 223 477,00 lekë pa TVSH.
Nëse Sako do të shqetësohej për jetën dhe pasurinë e qytetarëve të saj këtë projekt duhet ta kishte përfudnuar qysh në verë. Në fakt, kryetarja tenderin e ka mbyllur më 26 gusht 2025 dhe kontratën e ka firmosur në 30 dhjetor! Nëse ky kanal do të ishte rehabilituar në verë, ndoshta do të kishim më pak shtëpi të përmbytura në Durrës.
Në fakt kryetarja e ka mendjen tek paratë e tenderave, jo tek zbatimi i projekteve.
Në këtë procedurë kanë marrë pjesë 3 operatorë konkurrues, ku dy prej tyre janë skualifikuar qysh në fillim me argumente që nuk e justifikojnë shkeljen e barazisë. Njëri prej operatorëve ësht ë skualifikuar për një gabim aritmetik, që nuk e kalon vlerën 2% të ofertës. Sipas ligjit, këto gabime nuk merren parasysh në vlerësim.
Në fakt, arsye e skualifikimit të dy ofertave është se ato janë më të ulëta se propozimi që kishte bërë kompania e Neim Beqirajt. “BEQIRI” SHPK ka bërë ofertën 34 000 200,00 lekë pa TVSH.
Ndërkaq, oferta e oferta e operatorit “BE – IS “ shpk është 29 807 690 lekë dhe me vlerë të korrigjuar në shifrën 30 153 410 lekë. Ndërsa kompania “K.M.K” shpk ka propozuar ta bëjë këtë punë me 30 430 990 lekë pa TVSH.

Megjithatë, pazari ishte kryer në favor të “Beqiri” shpk, prandaj në 30 dhjetor 2025 është nënshkruar kontrata dhe është fiksuar vlera përfundimtre totale 40 800 240,00 lekë me TVSH.
Kompania mbingarkohet me punë publike
“Beqiri” Shpk paralelisht me tenderin e Sakos, ka firmosur një kontratë 1 milionë euro me Bashkinë Sarandë. Bëhet fjalë për kontratën me objekt: “Ndërtim pedonale segmenti rrugëve “Dea –Isadora Dunkan- Alida Hysku”, Ksamil” me fondin Limit 83 333 333 lekë pa TVSH.
Në tenderin e mbajtur më 5 nëntor 2025 kemi të bëjmë me fitues të paracaktuar dhe marrëveshje të heshtur mes operatorëve pjesëmarrës.

Sipas dokumenteve, në këtë procedurë kanë marrë pjesë operatorë “konkurrues”: “BEQIRI” SHPK me pronar Neim Beqirajn dhe “C O L O M B O” SHPK, me pronare Diana Laba.
Pra, kemi oferta gati sa fondi limit dhe të ngjashme si dy pika uji. Kjo është e mjaftueshme që tenderi të anulohet.
Dy kompanitë garojnë krejt fiktivisht me njëra tjetrën, pasi shpesh kanë qenë ortake (në marrëveshje të tipit BOE) në kontrata publike që i kanë përfituar në të kaluarën. Po sjellim këtu dy shembuj, që të vërtetojmë se dy firmat pjesëmarrëse në tenderin e pedonales së Ksamilit ndajnë interesa ekonomike dhe marrëveshje së bashku.
Kështu në tetor 2018, “Beqiri” shpk dhe “Colombo” shpk kanë hyrë të bashkuara me marrrëveshje në tenderin e bashkisë Durrës me objekt “Rikonstruksion i shkollës së mesme “Leonik Tomeo” dhe kanë përfituar fondin 99 860 000,00 lekë pa TVSH.
Pak më vonë, sërish nga Bashkia Durres, dy kompanitë kanë marrë së bashku me marrëveshje tenderin “Reabilitimi kanalit KUL F.II dhe KUL F.III” me fondin limit 54 166 000,00 lekë pa TVSH. Kontrata është firmosur më 26 korrik 2019.
Janë dy kompani nga Fieri, me seli në dy lagje ngjitur dhe partnere të vjetra në biznes. Njëra kompani ka bërë ofertën 80 833 473,00 lekë pa TVSH dhe tjetra 82 486 852 lekë pa TVSH.
Beqiri merr miliona euro tendera dhe i lë punët pa mbaruar
Kompania “Beqiri” shpk me pronar Neim Beqirajn ka treguar në të kaluarën se merr paratë dhe nuk kryen punën.
Kështu, në vitin 2016, kompania “Beqiri” firmosi me Bashkinë Durrës kontratën “Rindërtim i urës që lidh fshatin Jubë me Rrushkull dhe segmenti rrugor që lidh rrugën”. Vlera e fondit limit ishte 21 552 000,00 lekë pa përfshirë TVSH.
Ura 115 metra e gjatë dhe 4 metra e gjerë u rikonstruktua më në fund në vitin 2017 me fondet e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe bashkisë Durrës. Por kjo rrugë pak kohë më pas ishte në gjendje të degraduar.
Për banorët e zonës, ura e tipit “Bejli” ishte kthyer në shqetësimin kryesor të tyre. Fotoja tregon situatën në qershor 2023, kur Rruga Ura Durrës e detyruar nga protestat e banorëve po kryente disa arnime me dërrasa.

Në qershor të vitit 2017, Beqiraj mori nga Erion Veliaj tenderin për ndërtimin e rrugës “Danish Jukniu” në Tiranë me fondin limit 38 732 631,00 lekë.
Rruga duhej mbyllur për 6 muaj, por Beqiraj nuk arriti të mbyllte punimet në afat ashtu siç nënshkroi kontratën. Ç’ndodhi? Në prill 2018, Erion Veliaj i dha fond shtesë kompanisë që të vazhdonte punën. Pra, bashkia derdhi edhe 5 576 441 lekë tek xhepi i Neim Beqirajt.
Në 20 maj 2022, kjo kompani mori tenderin e rindërtimit të rrugës tek Currilat, e cila është kryer me cilësi të dobët.
Tenderi “Rikonstruksion rruga Currila segmenti hotel Ferrara – Guest House” e kishte fondin limit 37 248 896,00 lekë.
Kodra e Currilave në Durrës thuajse u lëshua në janar 2023 mbi rrugën mbi të cilën ngrihet, teksa shembja e skarpateve anësore dhe çarja e rrjetave mbrojtëse bëri që dherat të pushtonin aksin që lidh zonën me qytetin e Durrësit. Teksa kjo duket të jetë një situatë që përsëritet thuajse sa herë ka reshje të dendura shiu, ajo ç’ka del në pah është dështim i punimeve. “Por, pavarësisht këtij fakti, ende nuk është bërë asnjë ndjekje penale nga Prokuroria e Durrësit apo të ketë nisur ndonjë hetim për dëmin financiar të shkaktuar nga zbatuesit e projektit…” deklaronte në këtë kohë Dega e PD Durrës.

Kompania është favorizuar vazhdimisht nga zyrtarë bashkish me procedura me “Flamur të kuq”, shenja që përdor Open Data Albania për të sinjalizuar riskun e korrupsionit.
Kështu, më 25 qershor 2024, kryebashkiaku Erion veliaj i ka dhënë Neim Beqirit tenderin me vlerë afërsisht 1 milion euro me objekt ‘Ndërtim Ura e Bonarakëve, Ibë e Poshtme’.

Sipas dokumentit të mësipërm, Ura duhet të niste nga ndërtimi më 1 gusht 2024 dhe duhej të dorëzohej brenda 6 muajsh. Pra, ura duhej të kishte përfunduar në shkurt 2025. Kjo foto më poshtë, është shkrepur nga ATSH më 13 korrik 2025, ku punimet dukeshin shumë larg përfundimit.

Nga ana tjetër, megjithë këtë paaftësi të kompanisë për të kryer punimet me cilësi dhe në afat, niveli i lartë i korrupsionit e ndihmon Neim Beqirajn që të vazhdojë të marrë miliona euro kontrata publike.
Kështu, më 29 janar 2025, kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, i ka skualifikuar të gjithë pjesëmarrësit e tenderit dhe ia ka dhënë Neim Beqirit kontratën me objekt: “Rikonstruksionin e rrugëve në fshatrat e Njësisë Administrative Fratar dhe Kutë”.

Janë 51 971 681,00 lekë që Ismailaj i xhiron në shkelje të rregullave të prokurimit, duke favorizuar mikun e tij biznesmenin Neim Beqiraj.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.






