Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë zyrtarisht të pandehur dy ish-prokurorë të Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho dhe Çlirim Shahini, në kuadër të një hetimi për dyshime korrupsioni që lidhen me lehtësimin e masave të sigurisë ndaj biznesmenit Pando Papuçi, i hetuar më herët për ndërtim pa leje.
Sipas SPAK, Llaho akuzohet për veprën penale të korrupsionit, ndërsa Shahini, i cili aktualisht ushtron profesionin e avokatit, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Organi i akuzës dyshon se dy ish-prokurorët i kanë kërkuar Papuçit shumën totale prej 55 mijë eurosh, në këmbim të ndërhyrjes në procedurat gjyqësore, me synim zbutjen e masave të sigurisë.
Hetimet kanë evidentuar se Papuçi ishte shmangur nga drejtësia për rreth dy vite dhe u arrestua më pas, ndërsa masa e sigurisë ndaj tij u ndryshua brenda një ore nga gjyqtarja Edona Vajushi, pas kërkesës së prokurorisë. SPAK dyshon se kjo lëvizje ka qenë pjesë e një skeme të paracaktuar, ku pagesat e paligjshme do të shërbenin për të ndikuar vendimmarrjen gjyqësore.
gijotina.com/









