Është shtyrë sërish seanca gjyqësore, në Gjykatën e Posaçme për dosjen “Partizani”.
Sipas informacioneve, seanca e radhës është caktuar të mbahet më 12 janar 2026.
Ndërkohë gjatë seancës së sotme, avokatët e Sali Berishës, kanë deklaruar se nuk ekzistojnë faktet penale që e ngarkojnë kryedemokratin me akuzën e “korrupsionit pasiv”. Pala mbrojtëse pretendon se, SPAK nuk ka sjellë asnjë provë ndërsa i kanë cilësuar akuzat si të orientuara politikisht.
Në këtë çështje janë të pandehur ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe disa persona të tjerë. Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama.
Të pandehurit e dosjes “Partizani”:
- Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
- Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
- Fatmir Bektashi – Ndërtuesi akuzohet “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrim parash”
- Xhimi Begeja – Trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i “Homeplan” akuzohet për “Pastrim Parash”
- Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të “Homeplan sh.p.k” – akuzohet për “Pastrim Parash”










