Sipas të dhënave nga Census Hub i Bashkimit Europian, rreth 2.2 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit, ku 70% e tyre janë deri në 45 vjeç. Mbi 60% e emigrantëve shqiptarë ndodhen në moshë pune aktive 15–49 vjeç, ndërsa grup-mosha 30–49 vjeç përbën 40.7% të totalit. Struktura gjinore është pothuajse e barabartë mes meshkujve dhe femrave.
Të dhënat tregojnë se shqiptarët në emigracion kanë një strukturë shumë më të re krahasuar me popullsinë rezidente në Shqipëri. Grup-moshat mbi 65 vjeç përbëjnë rreth 5% të emigrantëve, ndërsa ata mbi 85 vjeç vetëm 0.3%. Ndërkohë, grup-mosha nën 15 vjeç përfaqëson 19% të diasporës shqiptare, duke reflektuar praninë e familjeve emigrante.
Sipas Census Hub, në dekadën e fundit emigrantët shqiptarë përbëheshin nga 56% meshkuj në Gjermani, 53% në Greqi dhe 51% në Itali. Në tërësi, shtetasit shqiptarë që jetojnë në Europë janë të moshave më të reja edhe në krahasim me strukturën demografike të vendeve pritëse, ndërsa brenda Shqipërisë është rritur pesha e grup-moshave mbi 50 vjeç.










