Seanca e dytë gjyqësore radhazi përfundoi sërish pa një vendim përfundimtar nëse Veliaj do të vijojë apo jo të qëndrojë në qeli. Edhe këtë të Mërkurë, gjyqtari i Apelit të Posaçëm Engert Pëllumbi vendosi shtyrjen e seancës. E radhës do të zhvillohet nesër (e Enjte), duke nisur nga ora 10:00.
Apeli nisi shqyrtimin e kërkesës së Veliajt për liri të martën dhe pas një seance që zgjati 7 orë, vendosi shtyrje për ditën e sotme. Në atë seancë, avokatët e Veliajt argumentuan se pse klienti i tyre duhet të lirohet nga qelia, duke pretenduar se nuk ekzistojnë kushtet që ai të qëndrojë në burg. Po sipas tyre, nuk ka rrezik që kryebashkiaku të prishë provat, të intimidojë dëshmitarët, apo të arratiset. Avokatët propozuan edhe lirimin me garanci pasurore.
SPAK, në anën tjetër, mbajti një qëndrim të kundërt duke kërkuar vijimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Prokuroria, e cila u përfaqësua nga Ols Dado dhe Altin Dumani, paraqitën prova të reja. Prova që sipas tyre provojnë konsumimin nga ana e Veliajt të veprave penale për korrupsion dhe pastrim parash si ekspozojnë rrezikun e lartë që ka për të intimiduar dëshmitarë.
Pas provave të reja të paraqitura nga SPAK, avokatët e Veliajt kërkuan kohë që të njihen me to. Në këto kushte, gjykata mori vendim për shtyrjen e seancën mesditën e nesërme.
Në dalje nga gjykata, avokatët e Veliajt nuk preferuan të jepnin asnjë prononcim për mediat.
Përveç Veliajt, masën e sigurisë e ankimuan edhe të pandehurit e tjerë të dosjes, përveç ndërtuesit Fatmir Bekteshi dhe bashkëshortes së kryebashkiakut Ajola Xoxa.
Provat e reja, Veliaj u përgjua në qeli
Burime nga brenda seancës bënë me dije në kushte anonimati se mes provave të paraqitura nga SPAK në gjykatë janë disa audiopërgjime ambientale dhe telefonike të bëra ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj në qeli, i cili komunikon me vëllain e tij Arbër Veliaj ku përmenden dhjetëra emra gazetarësh dhe bashkëpunëtorësh të tij.
Gjithashtu, ka fakte dhe prova të tjera shkresore që lidhen me kryebashkiakun Veliaj, familjaret e tij dhe biznesmenët që ka bashkëpunuar ndër vite.
Përgjimet e dhëna si prova nga SPAK janë lexuar në seancë nga prokurorët dhe janë administruar nga avokatët.
Komunikimi i Erion Veliajt me vëllian e tij Arbër Veliaj përfshin edhe udhëzime si ky i fundit porositet të takojë gazetarë, të ndërhyjë në politikat redaksionale të mediave, apo të ushtrojë presion mbi gjyqtarët dhe prokurorët.
Gjithashtu, në përgjime Veliaj përmend disa emra të pronarëve të mediave, që faktikisht, kohët e fundit, kanë mbrojtur kryebashkiakun dhe kanë sulmuar drejtësinë.
Këto përgjime, SPAK i ka vënë në dispozicion të Apelit të GJKKO duke treguar se Veliaj po ushtron presion të madh mediatik kundër njerëzve të drejtësisë, duke nisur nga mediat kryesore, të cilat edhe janë denoncuar si media të paguara nga inceneratorët, nga vëllai i kryebashkiakut Erion Veliaj, apo koncesionet e pushtetit.
Veliaj ankohet në gjykatë për përgjimet, nuk tërhiqet nga sulmet ndaj drejtësisë
Seanca rinisi këtë të mërkurë me kundërshtimet e avokatëve të kryebashkiakut ndaj provave të reja të paraqitura nga SPAK, që nga ana e saj, kërkon mbajtjen në qeli të kryetarit të bashkisë.
Në deklaratën para gjyqtarëve dhe dy prokurorëve Ols Dado dhe Altin Dumani, sipas burimeve, Veliaj ka deklaruar se i qëndron çdo postimi që ka bërë në rrjetet sociale.
“Unë jam ende kryetar bashkie në detyrë i votuar nga çerek milion njerëz, unë i qëndroj çdo postimi që kam bëre në rrejte sociale”, mësohet të ketë thënë Veliaj, i cili që pas arrestimit, ka zhvilluar një fushatë të ashpër sulmesh publike ndaj drejtësisë, kryesisht prokurorit të dosjes në ngarkim të Ols Dado dhe gjyqtarit të posaçëm që pranoi kërkesën e SPAK duke miratuar masën e arrestit me burg.
Në gjykatë, Veliaj ka kundërshtuar SPAK, duke u shprehur se provat e reja janë çimka dhe telefonatat e tij me djalin, si edhe familjen.
Erion Veliaj tha se SPAK ka përgjuar 1 muaj bisedat e tij familjare që sipas kryebashkiakut, kanë të bëjnë me intervistat në media.
“Ju nuk keni konsideruar prova të reja sulmet publike të Sali Berishës ndaj SPAK. Por keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin dhe familjen dhe interesimin tim për intervista në TV kryesore“, mësohet se është shprehur Erion Veliaj.
Ai kërkoi edhe seancë me dyer të hapura.
Biznesmeni Elman Abdule, i cili ndodhet po ashtu në paraburgim dhe mbrojtja e të akuzuarve të tjerë paraqitën gjithashtu kërkesat dhe argumentet e tyre duke kundërshtuar masat e sigurisë.
SPAK kërkon vijimin e arrestit në burg për Veliajn
Nga ana tjetër, akuza kërkon vijimin e masës së sigurisë arrest në burg për kryebashkiakun Veliaj.
Konkluzionet në seancën e sotme i mbajti kreu i SPAK Altin Dumani, i cili argumentoi se pse sipas hetuesve, kryebashkiaku duhet të qëndrojë në qeli.
Në fund, gjyqtari Engert Pëllumbi vendosi të mos e shpallë vendimin përfundimtar këtë të mërkurë, por e shtyu seancën për të enjten, kur pritet edhe një vendim nëse do të pranohet ose jo kërkesa e Veliajt për të lënë qelinë dhe e të akuzuarve të tjerë.