Kreu i FSHZH, Dritan Agolli, vazhdon të firmosë kontrata për të njëjtat punë që marrin fonde në mënyrë të përsëritur. Së fundmi Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur projektin e radhës përmes të cilit do të shpenzojë 5.2 miliardë lekë. Sipas të dhënave këto para do të shkojnë për mbështetjen e bashkive për realizimin e projekteve infrastrukturore nëpërmjet kontributit të përbashkët.
Ky projekt është i ndarë në katër faza, që si rrjedhojë janë shpallur katër prokurime.
Në shqyrtimin e secilit prej tyre shohim se, nuk përcaktohet se për cilat bashki do të blihen këto mallra, as nevojat që ka çdo bashki, por shohim se do të furnizohen kosha mbeturinash, bordura betoni, shtylla betoni, pemë dekorative.
Ndërkohë ne duam të theksojmë këtu se bashkisë shpesh herë, madje edhe gjatë këtij viti, kanë hapur vetë tendera për t’u furnizuar me këto mallra. Është detyra parësore e bashkive të bëjnë pastrimin, kështu që nuk kanë pritur t’ua blejë koshat Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Atëherë ku do t’i çojë FSHZH dhe si i ka përllogaritur shpenzimet pa raportuar sa nevoja ka çdo bashki për këto mallra?!
Jemi të sigurt se këto pikëpyetje do të zgjidhen nga auditimi i KLSH në të ardhmen, megjithatë po sjellim në vëmendje njërën prej kontratave e cila është ezauruar dhe është bërë publike nga APP në buletinin e datës 12 dhjetor. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Mbështetje për realizimin e projekteve bashkiake infrastrukturore nëpërmjet formave te kontributit të përbashkët-materiale mobilimi urban dhe gjelbërimi, Loti 4 (Faza III)”, me fond limit 1.2 miliardë lekë.
Me këto para parashikohen të blihen kosha mbeturinash dhe shkurre dekorative. Janë mallra që fare mirë mund të siguroheshin më me pak shpenzime pa kaluar tek niveli ‘miliardë’ lekë, por e dimë tashmë që Agolli e shpërdoron Fondin.
Afati për dorëzimin e ofertave ka qëndruar i hapur nga data 19 shtator 2024 deri më datë 21 tetor, ku parashikohej të zhvillohej tenderi.
Por deri në dhjetor nuk ishte dhënë asnjë informacion mbi ecurinë e garës, pasi me sa duket nuk ka patur një procedurë të rregullt.
Sipas të dhënave, janë dorëzuar 4 oferta, por 3 prej tyre duket që janë skualifikuar vetëm me një fazë. Agolli ka dhënë argumente vetëm për firmën “A l b G a r d e n” SHPK, duke thënë se nuk përmbush kriterin për kapacitet ekonomik dhe financiar. Ndërsa për operatorët e tjerë nuk është dhënë asnjë arsyetim edhe pse iu është hequr menjëherë mundësia për të marrë pjesë në garë.
Kujtojmë se Dritan Agolli në shkurt 2022, SPAK ka nisur hetimet për kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli pas publikimit të një tenderi të dyshimtë që kap vlerën e rreth 400 mijë eurove.
Burime nga SPAK, thanë se hetimet për këtë rast kanë nisur kryesisht pas publikimit në media të informacioneve rreth tenderit të zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me objekt përgatitjen e një menuje për projektin e “100 fshatrave”.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur fitues kompaninë Mascarpone sh.p.k në pronësi të Alfio Rrotanit dhe Endrit Maci person fizik.
Nga verifikimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se fituesi i tenderit, Alfio Rrotani punon si shef kuzhine në një restorant luksoz që është në pronësi të djalit të Dritan Agollit, drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.