“Një shumë prej 230 mijë eurosh u gjetën nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në galerinë ‘Harabel’ të Ajola Xoxës, gjatë kontrolleve që BKH kreu të premten”. Deklarata u bë këtë të hënë nga kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë një konference për mediat.
Berisha tha se informacionin e kishte marrë nga burime pranë BKH-së dhe shtoi se ka pasur kërcënime që episodi të mbahet i fshehtë.
Berisha përmendi edhe emrin e personit që sipas tij kërcënoi me publikimin e materialeve komprometuese për vëllanë e kryeministrit Edi Rama.
Kryedemokrati tha se kjo ngjarje shënon një tjetër akt të përballjes mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
“Tre ditë më parë u zhvillua, siç e denoncova këtu para jush, beteja mes Kodrës së Diellit dhe Surrelit. Por këtu para jush paraqita vetëm aktin e parë. Akti i dytë ka përsëri të njëjtët aktorë. Akti i dytë u zhvillua në galerinë ‘Harabel’. Ekipi i BKH dhe Skapit, nga shtëpia e Erion Velisë në Kodër të Diellit, u zhvendos në galerinë e Velicës, ‘Harabel’. Edhe aty të njëjtit personazhe, agjentët e BKH, Velica, dhe as i vëllai i saj, as i vëllai i Erion Veliajt, as kushërinjtë, por përsëri i njëjti Alban, Dabulla”, tha Berisha.
“I njëjti Alban që lëshoi ultimatumin nga Kodra e Diellit sikur të ishte ai pronari i galerisë ‘Harabel’. Ai shoqëroi Velicën dhe ekipin e BKH-së në kontrollin që u bë në galerinë ‘Harabel’. Gjatë atij kontrolli janë gjetur 230 mijë euro të fshehura në galeri. Qytetari Dixhital informon Sali Berishën me kompetencë të plotë, në fakt BKH-ja Dixhitale, Qytetari Dixhital nuk ka mur, nuk ka dritare, nuk ka çati, nuk ka dysheme, nuk ka tavan që e pengon atë për të qenë aty ku duhet”, shtoi ai.
Më tej, kryedemokrati u shpreh se “qytetari Dixhital informon se janë 230 mijë euro dhe se Dabulla lëshoi ultimatumin: guxoni, përmendni, fotografitë dhe regjistrimet e Olsit me Xibrakën bëhen publike brenda 3 orëve”.
“Sepse, edhe njëherë po u rikujtoj se në klubin e Xibrakës ka pasur 100 përqind mandat arresti për Besnik Dabullën, duhet të bëj një kontroll nëse ka pasur mandat për Albanin… Por, të qëndrojmë këtu. Grupi i Xibrakës ishte grupi i Hakmarrjes për Drejtësi. Gentian Gjonaj dhe Dabulla kanë qenë krahu publik i Hakmarrjes për Drejtësi. Dhe në grupin e Xibrakës, që de facto ishte grupi i Hakmarrjes për Drejtësi, por tani me koperturën më të lartë shtetërore, Olsi Ramën dhe Iljaz Çeçon dhe djemtë e tij. Pra, në këtë kontekst ata kanë të gjithë dokumentacionin e personit të paidentifikuar, që shkruante polici që kishte frikë të përmendte emrin e Olsi Ramës. Dhe kështu që u censurua lajmi i gjetjes së 230 mijë eurove”, tha Berisha më tej.
Sipas tij, shuma prej 230 mijë eurosh e ka prejardhjen nga afera korruptive. Kryedemokrati denoncoi se drejtuesja e BKH-së Aida Hajnaj raporton fshehtas te kryeministri Edi Rama dhe punon për llogari të këtij të fundit.
“Velica me të qetë filloi të justifikohej se kam bërë këto shitje e ato shitje, që të gjitha para të vjedhura pa diskutim. Pra, kjo tregon edhe njëherë falsitetin e hetimeve të organizatës kriminale që drejtohet nga Altin Dumani dhe ajo tjetra, Hajnaj, drejtoresha e BKH-së, e cila ka vetinë, merr çdo fashikull, dosje që ka lidhje me Edi Ramën dhe ia dërgon atje në zyrë. Kjo e provuar. Ajo, përveç kësaj, dosjet që nuk duhet të marrin rrugë, i degdis në qoshe të arkivave që të përfundojnë në kalendat greke. Edhe ajo është një person jashtëzakonisht i inkriminuar në raport me ligjin”, shtoi kryedemokrati.
Berisha shtoi se arkivat e BKH-së dhe SPAK-ut janë në duart e Edi Ramës.
“Së fundmi, baxhanaku i Edi Ramës, kunati i Linda Ramës, ka marrë tani mbikëqyrjen, ruajtjen e serverëve të Skapit dhe BKH. E kuptoni ju vetë, e gjithë arkiva e Skapit dhe BKH-së është në duart e Edi Ramës dhe klanit të tij”, tha kryetari i PD-së.