Bëma e radhës me tenderat vjen nga kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj. Kryetari po mendon të bëjë vaditje tani në sezonin e shirave dhe dëborës. Për këtë bashkia Mat do të shpenzojë 13 milionë lekë duke blerë materiale që duhen për përmirësimin e infrastrukturës vaditëse.
Sipas dokumenteve, më shumë do të blihen veshje për punëtorët dhe pajisje si lopata, sharra, puseta, çekiçë, tela e të tjera. Por nuk bëhet e qartë se kush do ta bëjë mirëmbajtjen e kanaleve vaditëse.
Me sa duket këto 13 milionë lekë do të pasohen nga ndonjë tender tjetër.
Agron Malaj ka lënë afat 2 muaj që kompania të bëjë furnizimin me këto materiale, por për shpalljen e fituesit nuk ka marrë shumë kohë. Brenda 12 ditëve është bërë mbyllja e letrave. Sipas të dhënave, tenderi u shpall më datë 13 nëntor 2024 dhe gara u mbyll më datë 25 nëntor 2024. Gjatë kësaj periudhe kishte dorëzuar ofertë vetëm firma “GENERAL PLUS”, me vlerë sa 100% e fondit limit.
Kontrata është mbajtur e fshehur nga publiku deri më datë 4 dhjetor 2024, kur e ka publikuar Agjencia e Prokurimeve Publike.
Ndërkohë Open Data Albania e ka vlerësuar tenderin me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
Kjo kompani me pronar Fatos Brajën nuk e ka marrë rastësisht tenderin. Braja vetëm tre muajt e fundit ka marrë tre kontrata nga Erion Veliaj për furnizime materialesh elektrike, rrota kazanësh dhe fshesa. ECO Tirana në varësi të Veliajt i ka skualifikuar të gjithë pjesëmarrësit në tenderin e fshesave vetëm që t’i jepte kontratat Brajës.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet .nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016