Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK disa dokumente lidhur me projektin energjitik në digën e Zadejës. Sipas PD, kostoja reale e tij është fryrë me 3 herë më shumë. Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi tha përmes një deklarate për shtyp se me firmën e ministres Belinda Balluku i janë shkaktuar 5 mln Euro dëm buxhetit të shtetit, në bashkëpunim me drejtorin e KESH Ergys Verdho.
“Në xhepat e kujt kanë shkuar 5 milionë euro plus?”, ishte pyetja që shtroi Bardhi, duke e cilësuar këtë një aferë galopante për të cilën ka prova.
Sipas demokratit, për të njëjtin projekt ndërtimi, privati ka vlerë 3 herë më të ulët.
“Kjo nuk është akuzë politike, nuk është sulm i një kundërshtari politik, është realiteti se si abuzohet me paratë publike, rast flagrant se si qeveria e Edi Ramës iu vjedh sy më sy, një projekt në dukje i parëndësishëm, por që tregon se si Balluku përdor nevojën jetike të vendit për energji me një skemë kriminale që trefishon vlerën e projektit. Mban nga fillimi në fund firmën e Ballukut dhe vartësve të saj, duhet të hetohet pa humbur kohë nga SPAK dhe duhet çuar para drejtësisë. Një projekt po ndërtohet nga shteti, konkretisht nga KESH 8 mln euro, ndërkohë që kur ndërtohet nga privati kushton 3 mln Euro. Kjo ka ndodhur me projektin e ndërtimit të impiantit fotovolatik në digën e Zadejës, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej të paktën 5 mln Euro”, tha Bardhi.
“KESH lidhi kontratë për 8.13 mln euro ose 97% e fondit limit, është bërë e zakoshme që fituesit e tenderave janë të paracaktuar dhe nuk kursejnë asgjë, e lidhi kontratën dy, tre herë më shtrenjtë se sa vlera reale me miratim paraprak të zv. kryeministres. Balluku e ka miratuar projektin shtetëror dukë vënë firmën, kur ndërkohë i njëjti projekt u kushtoi investitorëve privat 3 mln Euro. PD i ka vënë SPAK në dispozicion të gjtiha dokumentet që provojnë se njëra prej kompanive fituese kur e ka realizuar projektin më të ndërlikuar për privatin e ka nxjerrë vlerën 365 mijë euro për megavat. E njëjta kompani e ka nxjerrë çmimin 3 herë më të lartë, 985 mijë euro për megavat. Te privati nuk vidhet, ndërsa te Balluku me klanin e saj vidhet, gati trefishi i projektit. Në dokumentet që janë dorëzuar në SPAK kam vënë në dukje dhe Ergys Verdhon si drejtor i KESH që bashkë me Ballukun e kanë lejuar me dashje këtë projekt, pasi kanë pasur informacion për kostot”, shtoi ai.
Deklarata
Këto ditë ju keni parë spektaklin e dhënë nga qeveria në lidhje me buxhetin për vitin e ardhshëm. Propaganda se sa mirë kujdeset qeveria për pensionistët, për fëmijët, të rinjtë, fermerët, për njerëzit e punës do t’ju shoqërojë deri në fundin e vitit. Por,ju lutem, sa herë të shihni një spektakël të tillë, refuzojeni! Është propaganda e korrupsionit, që vjedh çdo ditë nga taksat tuaja, nga djersa juaj, vjedh çdo ditë të ardhmen e fëmijëve tuaj!
-Kjo nuk është një akuzë politike e një partie kundër një tjetre.
-Nuk është një sulm i një kundërshtari politik kundër një tjetri.
-Është realiteti sesi abuzohet me paratë publike.
-Një rast flagrant sesi qeveria e Edi Ramës ju vjedh sy për sy.
-Një projekt, në dukje i parëndësishëm për vëmendje publike, por që tregon sesi Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, përdor nevojën jetike të vendit për energji elektrike për të prodhuar një skemë kriminale qëgati trefishon kostot e projekteve energjetike.
Rasti që do të bëj sot publik mban nga fillimi në fund firmën e Belinda Ballukut. Një shkelëse përsëritëse e ligjit, e cila duhet të hetohet nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion pa humbur kohë dhe duhet dërguar para drejtësisë.
Vetëm me firmën e Belinda Ballukut mund të ndodhë që një projekt, i cili, kur ndërtohet nga shteti, nga KESH-i, kushton 8 milionë euro dhe kur ndërtohet nga private kushton 3 milionë euro.
Kjo ka ndodhur me projektin e ndërtimit të impiantit fotovoltaik në digën e Zadejës, kostoja e të cilit është fryrë në mënyrë fiktive, duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit prej të paktën 5 milionë euro.
Rritje fiktive e kostos duhet të ketë ndodhur me shumë e shumë projekte të tjera në varësi të Belinda Ballukut apo ministrave të tjerë të qeverisë së Edi Ramës, por sotpo sjell faktet për abuzimin me fondet publike në projektin energjitik të KESH-it.
Nën varësi të Belinda Ballukut, KESH lidhi një kontratë për ndërtimin e impantit fotovoltaik të digës së Zadejës për 8.13 milionë euro ose sa 97% e fondit limit.
Është bërë krejt e zakonshme për qeverinë e Edi Ramës që fituesit e tenderave janë të paracaktuar dhe nuk kursehet pothuajse asgjë.
KESH-i e lidhi këtë kontratë2-3 herë më të shtrenjtë sesa vlera reale e punimeve të saj, në gusht të vitit të kaluar, pasi projekti kishte marrë miratimin paraprak të Belinda Ballukut. Sipas ligjit, Ministrja e Energjetikës ka detyrimin e njohjes së çdo projekti të tillë shtetëror ose privat, për të cilin jep miratimin ose e refuzon atë.
Në këtë rast, Belinda Balluku e ka miratuar projektin shtetëror për impiantin fotovoltaik në digën e Zadejës, duke vënë firmën në një projekt që doli në tender me vlerë 8.3 milionë euro, kur ndërkohë, një projekt tjetër, thuajse binjak me këtë shtetërorin, u kushtoi investitorëve privatë jo 8 milionë euro, por vetëm 3 milionë euro.
Partia Demokratike i ka vënë në dispozicion SPAK-ut dokumente që provojnë se njëra nga kompanitë fituese në projektin shtetëror të impiantit fotovoltaik prej 8 milionë eurosh, kur ka realizuar projekte për privatë, projekte akoma më të ndërlikuara se ai i KESH-it, e ka nxjerrë çmimin 365 mijë euro për Megavat. Ke njëjta kompani, kur ka punuar për KESH-in e Belinda Ballukut dhe Ergys Verdhos e ka nxjerrë çmimin gati tre herë më të lartë, rreth 985 mijë euro për megavat.
Cili është shpjegimi që e njëjta kompani, i njëjti projekt, madje edhe më i vështirë, kur paguhet nga privati, kushton gati3 herë më pak se projekti shtetëror?
Ka vetëm një shpjegim. Tek privati nuk vidhet. Në shtet, tek Ministria e Belinda Ballukut, me firmën e saj, me klanin e saj, vidhet rëndshëm.
Vidhet gati 3- fishi i projektit.
Në dokumentet që ia kam dorëzuar Prokurorisë së Posaçme disa ditë më parë kam vënë në dukje se Belinda Balluku, si Ministre, dhe Ergys Verdho, si drejtor i KESH-it, e kanë lejuar këtë dëm ekonomik me vetëdije dhe me dashje të plotë, pasi ata kanë patur informacion për diferencën e madhe të çmimit, rreth 5 milionë euro. Në të paktën dy herë, ligji ngarkon Ministren të japë miratimin paraprak për ndërtimin e projektit dhe, më pas, t’i propozojë qeverisë miratimin e tij përfundimtar.
Pra, Belinda Balluku, është e detyruar me ligj të dijë kostot e projekteve që nga fillimi, kur propozohen, deri në fund, kur i çon për miratim në qeveri. Asnjë justifikim nuk mund ta mbrojë nga ligji Belinda Ballukun.
Është në përgjegjësinë e SPAK-ut të gjejë se në xhepat e kujt kanë shkuar 5 milionë eurot plus në projektin e fryrë për ndërtimin e impiantit fotovoltaik në digën e Zadejës.
Njerëzit janë aty, duhet t’i hetojë, zyrtarë shtetërorë dhe individë privatë qofshin, të cilët zhvatin para nga shqiptarët. Mjafton të ndiqen paratë dhe hetimi do t’i çojë prokurorët në zyrën e numrit 2 të qeverisë.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka detyrimin ta hetojë këtë aferë fare të qartë korruptive pa iu nënshtruar presionit dhe pa vonesa. Dosja është aty, përmban çdo fakt, çdo dokument dhe nuk lë shteg për asnjë zvarritje.
Po kaq e plotë me prova dhe fakte është edhe dosja tjetër që kemi dorëzuar disa javë më parë, ku dokumentohet zyrtarisht sesi Belinda Balluku qëndron në krye të një prej skemave më korruptive, atë të shitblerjes së paligjshme të energjisë elektrike. Ky është një abuzim skandaloz, që llogaritet, më e pakta 180 milionë euro çdo vit. Përfitime në shkelje të ligjit që, me miratimin e Belinda Ballukut, u shpërndahen 4-5 kompanive private. Po aq tronditëse është afera tjetër e denoncuar në SPAK për Tunelin e Llogarasë, ku rezulton e provuar jo vetëm paracaktimi i kompanisë fituese, por edhe shtimi i vlerës në mënyrë fiktive me 50 milion euro.
Të tre këto janë çështje ku SPAK-u ka shansin për të kapur peshkaqenët dhe hijenat e qeverisë. Derisa të vijë dita e zgjedhjeve dhe shqiptarët të vendosin me votë, babëzinë e tyre mund ta ndalë vetëm drejtësia.