Nën hijen e ministres Belinda Balluku, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare vazhdon të prokurojë dhe nxjerrë paratë nga arka në emër të anijeve TEC “Tigri 1” dhe “Tigri 2”.
Që prej kohës kur dy anijet termocentral “Tigri 1” dhe “Tigri 2” zbarkuan në Gjirin e Vlorës, rreth dy vite më parë, shteti shqiptar ka hapur shumë tendera ku janë shpenzuar miliona euro, por ende nuk ka prodhuar asnjë kilovat energji.
Për një kohë të gjatë TEC-et qëndrojnë në fazë testimi sipas KESH. Afati për nisjen e prodhimit të energjisë është shtyrë disa herë, ndërkohë tenderët vazhdojnë.
Në këtë kuadër, që nga muaji gusht 2024 po bëhen lëvizje për zhvillimin e prokurimit me objekt “Përfitimi i shërbimit të evadimit të mbetjeve hidrokarbure TEC Lundrues Vlorë dhe trajtimi i tyre përfundimtar”.
Nuk e dimë se si u krijuan këto mbetje pa punuar, por tashmë kjo është fakt dhe tenderi është zhvillim e sipër. Ky prokurim po zhvillohet nga KESH, në kohën kur erdhi si administrator Erald Elezi. Procedura është shpallur në sistem nga APP në 14 gusht 2024, ndërsa Erald Elezi ishte emëruar në krye të KESH në 30 korrik 2024.
Objekti i tenderit parashikon nxjerrjen e mbetjeve nga lënda që do të digjet në këto dy anije dhe ka si fond limit 328 milionë lekë.
Sipas dokumentit, largimi i mbetjeve do të jetë për një periudhë 2-vjeçare deri në konsumimin e 25 mijë tonëve naftë.
Puna pritej të fillonte në shtator, mirëpo procedura ka ngecur, pasi është denoncuar në KPP.
Më 27 shtator KESH raporton se nga dy oferta në garë është skualifikuar ajo më e lira që ishte dorëzuar nga operatori “Green World” SHPK.
Por këto vendime nuk janë pranuar nga “Green World” SHPK, e cila më datë 9 tetor 2024 ka dorëzuar ankesën pranë KPP. Konkretisht, operatori në fjalë ankohet se komisioni i vlerësimit ka rrëzuar ofertën e tij në bazë të disa kritereve që nuk janë ligjore.
“Ne rastin konkret, kriteri objekt ankimi, për te cilin nuk është pranuar mbështetja nga KVO-ja, është xhiroja vjetore. Theksojmë se kriteri i xhiros vjetore nuk bën pjesë tek ato kërkesa që lidhen ngushtë me shërbimin objekt kontrate sikurse është evadimi i mbetjeve. Xhiroja vjetore konsiston më shume si mjet garancie për aftësinë paguese të subjektit në situatë të ndërprerjes së kontratës se shërbimit, por jo me aftësinë profesionale te subjektit për te realizuar shërbimin objekt kontrate”, thuhet në ankesë.
Ndërsa më tutje ankimuesi thekson se KESH ka gjetur argumente të pabaza për të skualifikuar ofertën e tij.
Gjithashtu, shprehet se komision nuk ka interpretuar si duhet kërkesën e këtij operatori për t’u mbështetur edhe në një operator tjetër sa i përket punimeve.
Ankimuesi hedh poshtë edhe pretendimet e tjera të AK që ka çuar në skualifkimin e ti, të cilat janë më poshtë : Mungesa e dokumenteve, “Shumatorja e çmimeve për njësi është 21,000 (njëzetë e një mijë) lekë, pa TVSH është skualifikuar pasi: 4 Nuk ka plotësuar saktë shtojcën 9 – “Formulari pěrmbledhës i vetëdeklarimit”, pika B “Deklarate”: “Informacion mbi subjektet mbi kapacitetin, e të cilëve do të mbështetet operatori ekonomik operatori ekonomik “Green World” sh.p.k, ka përcaktuar në formularin përmbledhës të vetëdeklarimit”, se mbështetet te operatori ekonomik “PIFABRI” sh.p.k”.
Edhe njëherë në përfundim ankimuesi pretendon se KESH ka bërë interpretime të ndryshme të ligjit për oferta të ndryshme.
Sakaq, në vendimin e marrë më datë 13 nëntor 2024, KPP ka vendosur të pranojë pjesërisht ankesën e “Green Ëorld” SHPK., çka do të thotë se në këtë pikë ka patur shkelje.
Ndërsa i kërkon KESH që të mos vazhdojë më tej me procedurat pa bërë ndryshimet e nevojshme. Megjithatë ka ende kohë që të shohim rezultate nga ‘Tigrat e Ballukut’.
Milionat që ikin për anijet TEC
Sikur theksuam më lartë janë zhvilluar një sërë prokurimesh për këto dy anije TEC, por ende nuk shohim rezultatet.
Kujtojmë se fillimisht, kur në krye të KESH ishte Ergys Verdho, u paguan 1.2 milionë euro për ankorimin dhe 7.2 milionë euro për transportin e naftës. Më pas u hap në fillim të këtij viti një tender me vlerë 2 milion euro për sigurimin e TEC-it lundrues dhe një ofertë për blerjen e 4 mijë ton lende djegëse HFO.
Pak kohë më parë, KESH shpalli një thirrje për shprehje interesi për të siguruar 100 mijë tonë naftë përmes një marrëveshje kuadër.
Sipas dokumenteve të depozituara na Agjencinë e Prokurimeve Publike fondi limit i tenderit për blerjen e karburantit është përcaktuar 90.7 milionë euro me kursin aktual.
Më pas hapet tenderi për furnizimin me lëndë djegëse të termocentraleve lundruese në Vlorë. 21 mijë tonë lëndë djegëse të llojit HFO me fond limit 11.500 euro.
Qiraja ditore e TEC-eve, nga momenti që ato do të nisin punën, është 63 mijë dollarë ose 57 mijë euro. TEC-et mbërritën në shtator 2022, pas një marrëveshje 2-vjeçare me kompanitë Exelerate Energy dhe Renco që u nënshkrua me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Megjithëse po shpenzohen miliona euro, nuk po prodhohet akoma energji. Mundet që misioni të mbyllet pa prodhuar energji, sepse kriza ka kaluar. Ndërsa për Ballukun, tenderat për “Tigrat” duhet të vazhdojnë!
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.