Pasi i ka mbajtur disa vjet me premtime, tani që erdhën zgjedhjet, Bashkia Selenicë do t’u rregullojë çatitë familjeve të varfra. Qysh nga vitit 2021, kur bashkia i ndërhyri me një projekt në disa shtëpi, ishin rritur shpresat e kësaj shtrese në nevojë. Së fundmi iu ka ardhur radha 63 familjeve. Kryetari i Bashkisë Nertil Bellaj ka zhvilluar tenderin me objekt ‘Përmirësim i banesave ekzistuese për komunitete të varfra dhe të pafavorizuara’ dhe i janë vënë në dispozicion 518 milionë lekë.
Projekti para zgjedhjeve
Do të rikonstruktohen 63 shtëpi dhe ky fond deri diku mund të justifikohet, pasi në dokument shkruhet se disa prej tyre kanë nevojë për risovatime, ndërhyrje në sistemin elektrik dhe dyer të reja, në pjesën më të madhe do të bëhet edhe rikonstruktimi i çative dhe izolimi i soletave.
Gjithsesi është e qartë që jo çdo shtëpi ka nevojë për këtë ndërhyrje paketë. Prandaj nuk dihet se sa do të shkojnë shpenzimet dhe sa do të zgjasin punimet.
Në dokumente thuhet që ndërhyrjet nuk mund të bëhen përnjëherësh, pra kërkojnë kohë. Por, tashmë jemi në stinën e vjeshtës, shumë shpejt po vjen dimri, çka do të thotë se këto banorë do ta kalojnë muajt e ftohtë në strehën e shkatërruar. Parashikimi është që punimet të mbarojnë në Prill të vitit 2025. Pra, para zgjedhjeve!
Tenderi me “Flamur të kuq”
Ne dyshojmë se puna do të zvarritet dhe punimet nuk do të jetë në cilësinë e kërkuar. Kjo sepse procedurat e tenderit janë kaluar me abuzime nga zyrtarët. Open Data Albania i ka vendosur tenderit Flamur të Kuq, që është shenja e riksut të korrupsionit. “Skualifikimi i të gjithë operatorëve përveç fituesit”, theksohet në përshkrimin e monitoruesit. Kjo sepse këtë fond të konsiderueshëm kryetari Bellaj e ka bërë dhuratë tek i përkëdheluri i Rilindjes. Gara ka qenë e hapur për 16 ditë dhe më datë 26 shtator 2024, ishte vlerësimi i ofertave.
Por, nuk ka patur asnjë garë! U dorëzuan 6 oferta, ndërsa 5 prej u fshinë që në fazën e parë, përfshirë këtu edhe propozimin e firmës “INA” SHPK me vlerë 401 milionë lekë, që ishte më i ulëti. Kjo ofertë është skualifikuar pasi “INA” shpk, sipas komisionit, nuk ka dorëzuar dokumentin që vërteton se do të mbështet për staf tek operatori BENAKS-94”.
Ky është një dokument i nevojshëm që e kërkon ligji, por gjithashtu duhet që për ofertat më ekonomike duhet bërë paralajmërimi për mungesën që kanë në dokumentacione dhe mund të përjashtohen nga gara vetëm, nëse nuk i përgjigjen kërkesës së AK për këto kritere. Ndërkohë për kompanitë e tjera pjesëmarrëse nuk është dhënë asnjë arsye skualifikimi.
Në këtë mënyrë, me manovra kundërligjore, kryetari Bellaj ka shpallur fituese firmën “BOSHNJAKU.B” me ofertë 456 milionë lekë.
“Boshnjakut” i hapet gropa në rrugën e ndërtuar
Kompania “Boshnjaku.B” me pronar Bashkim Dullën është evidentuar më parë në kryerjen e puënve publike pa ciëlsi. Kështu në vitin 2019, Një gropë e madhe është hapur si pasojë e dëmtimit të asfaltit në rrugën e ‘Stadiumit’ në Berat – rikonstruktuar vetëm tre vite më parë nëpërmjet projektit më të shtrenjtë të programit të Rilindjes Urbane të qytetit muze të mbrojtur nga UNESCO. Banorët e lagjes ankohen së rikonstruksioni i rrugës nuk ka qenë në cilësinë e duhur dhe përveç gropës prej disa metrash në mesin e saj, ata kanë gjithashtu probleme me ujërat e shiut.
Rruga “Stadiumi i Vjetër”-“Stadiumi i ri”, “Stadiumi”-“Koli-Vesho”, është projekt i financuar nëpërmjet vendimit të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve në 10 mars 2016 në saj të programit Infrastruktura vendore dhe rajonale dhe është projekti më i shtrenjtë i financuar në bashkinë Beratit.
Ky investim kap vlerën 312 milionë lekë dhe u realizua gjatë vitit 2016. Punimet për zbatimin e projektit u realizuan nga kompanitë e ndërtimit ‘G.P.G Company’ dhe ‘Boshnjaku B.’ Përveç rishtrimit me asfalt të rrugës ky investim përfshiu dhe sistemimin e kanaleve të ujërave të zeza.
Kompania “Boshnjaku.B” ka përfituar rreth 70 kontrata nga bashkitë me vlerë qindra milionë lekë, por me punonjësit nuk është korrekte, duke mos u paguar kontributet e sigurimeve shoqërore. Më 16 shtator 2024, Bashkia Gramsh e përjashtoi nga një tender këtë kompani sepse nuk kishte paguar 5 milionë lekë sigurime shoqërore të punonjësve.
E dukshme që pas këtij projekti qëndrojnë pazaret, por Bashkia e ka mbajtur larg syve të publikut kontratën deri më datë 16 tetor 2024. Pavarësisht kësaj, të paktën Agjencia e Prokurimeve Publike, nisur nga shkeljet e mëdha në këtë prokurim, duhej të bënte një hetim administrativ.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/201