Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, po i nxjerr ujin e zi tenderave të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara që e ka në varësinë e tij.
Këtë e bën sidomos me paratë e institucionet e shëndetësisë, ku kontratat janë të mëdha. Pasi ka mbaruar me blerjen e ushqimeve dhe larjen e çarçafëve me kontrata 4 vjeçare, Gonxhe tani kërkon të ndërrojë mobiliet e QSUT. Epokë e re me Gonxhen: dollapë, sirtarë varëse rrobash, karrige dhe tavolina të gjitha të reja.
Këto pajisje do të sigurohen përmes tenderit me objekt “Mobilie dhe pajisje prej metali për përdorime në ambiente të ndryshme’ me fond limit 150 milionë lekë. Ky prokurim mbart një sërë shkeljesh dhe abuzimesh, por së pari po ju tregojmë se Gonxhe e ka bërë zakon që kontratat i dhuron. Prandaj dhe tenderi mban Flamurin e Kuq që i ka vendosur Open Data Albania për mungesë konkurrence.
Kujtojmë se flamuri është shenja e riskut të korrupsionit.
Në fazën e parë kanë shfaqur interes 3 kompani, mjaftueshëm për të zhvilluar një garë të rregullt për këtë prokurim. Por, administratorja e Gonxhes dhe komisioni, qysh në fazën e parë i eliminuan dy kompanitë konkurrente. Kështu është skualifikuar “:BUNA” shpk për mungesë dokumentacioni, ndërsa “MUCA” sh.p.k edhe pse kishte ofertën më të lirë me vlerë 93 milionë lekë u skualifikua se nuk kishte dorëzuar katalogun e mobilieve.
Kështu deri në fund mbeti vetëm firma “SHAGA.” sh.p.k me ofertë rreth 150 milionë lekë, pra sa vlera e fondit limit, çka përbën një tjetër shkelje.
Pa patur konkurrent përballë, Shemsi Zemani përfitoi kontratën, më datë 28 gusht 2024, megjithëse dokumenti është regjistruar më datë 30 shtator 2024. Shemsi Zemani që u favorizua, është pronar i një mobilierie të njohur në Vlorë, gjithashtu njihet si biznesmen i pasur që zotëron edhe jahte.
Çdo vit mobilie të reja
Ndërkohë në fillim të artikullit ne thamë që ky lloj prokurimi mbart shumë shkelje të tjera. Së pari, nuk justifikohet blerja e mobilieve të reja. Në vitin 2022, QSUT u shpenzuan 2.8 milionë euro për mobilie. Gjithçka u furnizua përmes tenderit me objekt: “Blerje orendi dhe pajisje pre mobilim zyrash (ndarë në 5 Lote) ”, mallra, me fond limit të Marrëveshjes Kuadër: 283,063,243 (dyqind e tetëdhjetë e tre milion e gjashtëdhjetë e tre mije e dyqind e dyzet e tre) Lekë pa TVSH me nr reference të procedurës REF-23823-04-02-2022.
Epo në atë kohë në krye të QSUT qëndronte Albana Fico dhe me sa duket drejtoreshës së re Alma Cani nuk i pëlqejnë mobiliet e saj dhe ka kërkuar ndryshim.
Por spitali mban mobilie të vjetra
Sakaq, ju sjellim në kuadër të shkrimit edhe një fakt tjetër edhe më të rëndë! Në mars të këtij viti, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nxjerrë zbuluar QSUT, ku vidhen fondet për mobilje dhe në të vërtetë nuk blihen pajisje të reja.
KLSH raporton se, spitali i ri i sëmundjeve të brendshme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, i cili u inaugurua anë 22 mars të vitit 2023, shumicën e pajisjeve brenda tij kishte të vjetra.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në audititin e ushtruar në këtë godinë ka konstatuar se ndryshe nga sa janë të paraqitura në kontratat e kompanive fituese të tenderëve për pajisjen me shtretër, tavolina dhe dollapë të rinj për dhomat e ekzaminimeve, të mjekëve dhe pacientëve, mobiliet janë të përdorura dhe nuk janë zbatuar specifikimet teknike.
“Nga verifikimi fizik i kryer në Spitalin A2 (Urgjencës), më datë 27 dhe 28.03.2023, u konstatua se në 1312 copë për 6 artikuj në vlerën 25,605,000 lekë me TVSH nuk janë zbatuar specifikimet teknike, si dhe mobiliet janë të pashoqëruara me certifikatën e origjinës, raportet e testeve, certifikatat e cilësisë, certifikatat e garancisë për mallrat. U konstatua se 130 shtretër pacienti me kontroll manual për vlerën 12,480,000 lekë me TVSH, nuk janë të rinj, por të përdorur”, thuhet në raportin e KLSH.
Audituesit kanë konstatuar në disa shërbimet të godinës së spitalit të ri, mobiliet e vendosura nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara.
Nisur nga këto gjetje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar që dy kompanitë fituese të tenderit të kthejnë mbrapsht paratë, pasi janë përfituar padrejtësisht si pasojë e moszbatimit të specifikimeve teknike në kontratën “Mobilimi i Spitalit të Ri të Ndërtuar”. Po kjo gjë jo vetëm që nuk ka ndodhur, por QSUT vazhdon të bëjë shpenzime të tjera për mobilie.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016