Pas një vale të rëndë kriminaliteti, me zhdukje e vrasje mafioze, dy vitet e fundit Vlora kishte rënë në qetësi.
Situata e rendit u duk sikur u përmirësua ndjeshëm gjatë vitit 2023, gjatë të cilit u regjistrua vetëm një vrasje, pa çka se disa atentate dështuan. Por 2024-a nisi ndryshe atje. Vrasja e Gëzim Sinomajatj, më 7 janar, duket sikur ndezi fitilin e një dinamiti që nga momenti në moment mund të shpërthejë.
Shumë pista u ngritën për atë ngjarje, por dita ditës ranë rrugës duke lënë si kryesore vetëm një prej. Atë për çështje droge. E duket se vrasja e djalit të Sokol Sinomatajt ishte vetëm ngjarja e radhës, pas 3 të tjerave që kishin të njëjtin motiv, të njëjtët porositës e madje edhe të njëjtën kategori vrasësish.
Të gjitha dyshohet se lidhen me sasi të ndryshme droge të grabitura në Spanjë e Belgjikë. Pra, hesape që prishen jashtë Shqipërisë dhe që lahen këtu.
Atentati ndaj Armando Sulejmanit, ku u vranë kunati dhe shoku i tij, vrasja e Bledar Birçajt, Delon Troqes, tentativa për të vrarë skafistin Romeo Meçaj, por edhe vrasja me snajper e Gëzim Sinomatajt, kanë si emërues të përbashkët lëndët narkotike.
Ervin Karamuço: Janë ngjarje shumë të rënda sepse janë të importuara. Pra nuk janë ngjarje që lindin, zhvillohen dhe pastaj gjejnë fundin në Shqipëri. Në nuk dimë se sa persona janë të përfshirë dhe mbi të gjitha se kush rrezikohet akoma në Shqipëri. Kemi pasur raste ku nga përplasja e dërgesave, ngarkesave, drogës, qoftë edhe për gjobat që janë vendosur, kanë ardhur dhe kanë kryer vrasje me pagesë vetë, personat kanë paguar dikë, pos jo, në disa raste kanë paguar edhe të huaj për të ardhur, për të kryer vrasje dhe për t’u larguar.
Jemi mësuar shpesh që kur ngjarjet nuk zbardhen, gishtin ta drejtojmë nga Policia, duke e fajësuar për neglizhencë, paaftësi e ndonjëherë edhe si përgjegjëse për mos parandalimin e tyre. Por duket se të paktën për ngjarjet që do të flasim në vazhdim, Policia ka bërë siç duhet punën e saj. Madje duhet thënë se pengesat kanë ardhur nga Prokuroria e Vlorës.
Në nëntor të vitit 2022, Policia e Vlorës ka përcjellë informacionet përkatëse për të gjithë këto ngjarje, duke kërkuar leje në Prokurori për kontroll banesë, por nuk janë lejuar. E tillë është kërkesa e datës 10 mars 2022, në lidhje me atentatin ku mbeti i plagosur Romeo Meçaj. I është bërë kërkesë me shkrim prokurores së çështjes për lejimin e kontrollit të banesës së një të dyshuari, por kjo kërkesë nuk është miratuar. E ndonëse Policia ka referuar emra konkret të dyshuarish, asnjëri prej tyre nuk janë arrestuar dhe nuk kanë akuza të ngritura nga Prokuroria.
Ndonëse janë të paktën 4 ngjarje konkrete që kanë të njëjtin motiv, Policia ka dyshime edhe për krime të tjera që lidhen me to, por në këto raste flitet për persona të zhdukur, për të cilët nuk ka qenë kurrë i qartë fati i tyre.
17 Shkurt 2019
Atentat “Çipurit”, vritet kunati e shoku i tij
Rreth orës 12 e 30, të datës 17 shkurt 2019, në zonën e “Ujit të ftohtë”, në Vlorë, janë dëgjuar të shtëna armësh. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe në rrugën “Dhimitër Konomi”, tek kthesa kur merr poshtë, me drejtim nga ish-kampi i punëtorëve, në rrugë, ka konstatuar gëzhoja arme zjarri. Gëzhojat vazhdonin për nga kthesa, e cila është në anën lindore të rrugës kryesore që të çon në disa banesa të lagjes, ku është gjetur i shtrirë, i vrarë, një person. Tek oborri i një banese është gjetur një automjet “Volkswagen Passat”, ngjyrë blu, ku në vendin e drejtuesit të mjetit ishte një person tjetër i vrarë. Ndërsa jashtë makinës ndodhej një person i plagosur, i cili u identifikua duke thënë se ishte Armando Sulejmani. Më pas u identifikuan edhe dy viktimat. Personi i vrarë brenda automjetit ishte Arjan Hasanaj, 46 vjeç, ndërsa personi i vrarë në fillim të rrugicës ishte Resti Rexho, 38 vjeç. I plagosuri, Armando Sulejmani u transportua për të marrë ndihmën e parë në Spitalin e Vlorës.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se mjeti “Volkswagen” kishte dëmtime të shumta të shkaktuara nga armë zjarri. Gjithashtu u gjetën dhe u sekuestruan 78 gëzhoja fishekësh model 56. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe konkretisht njollave të gjakut, që vazhdonin nga mjeti ngjyrë blu për në drejtim të një banese, rreth 50 metra larg vendit të ngjarjes, është gjetur një armë zjarri, pistoletë me mulli, brenda të cilës kishte 6 gëzhoja me kapsollë të goditur. Kjo armë zjarri ishte e Armando Sulejmanit dhe nisur nga kapsollat e goditura të gëzhojave, rezultonte se ishte përdorur duke shkëmbyer zjarr me vrasësit. Në vijim të veprimeve hetimore është bërë arrestimi i Armando Sulejmanit, i njohur me nofkën “Çipuri”, me akuzën e armëmbajtjes pa leje. Ai kishte hapur zjarr ndaj autorëve në momentin që ka zbritur nga makina i plagosur, për t’u larguar në drejtim të vendit ku u gjet dhe arma e tij.
Në fshatin Kaninë, në rrugën “Çahire”, në vendin e quajtur “Liqeni 2”, pas ngjarjes është gjetur i djegur automjeti “Mercedez Benz”, brenda të cilit janë gjetur 3 automatikë model 56, të djegur plotësisht. Targat e këtij automjeti rezultonin t’i ishin vjedhur një mjeti autoshkolle në Fier, ndërsa vete makina ishte denoncuar e vjedhur në Tiranë.
Pasi janë parë kamerat e sigurisë, që u administruan si provë materiale, është bërë identifikimi i saktë i lëvizjes së personave objekt sulmi, si dhe u personave të dyshuar si autorë e bashkëpunëtorë në kryerjen e kësaj ngjarje. Përmes pamjeve janë përcaktuar oraret e lëvizjeve, si dhe janë nxjerrë koordinatat e sakta të vendeve ku mendohet se këta persona kanë përdorur telefonat për të komunikuar para, gjatë dhe pas kryerjes së krimit.
Pasi u analizuan provat, dëshmitë dhe rrethanat e ngjarjes, grupi hetimor doli në përfundimin se objektiv i atentatit kishte qenë Armando Sulejmani, ish-anëtar i bandës së Gaxhait dhe mik i Sokol Sinomatajt. Në këtë atentat ai mori plagë në dorë dhe këmbë. Por para kësaj ngjarje, “Çipuri” i kishte shpëtuar një tjetër atentati, më 23 maj të vitit 2016, në lagjen “Pavarësia”, në Vlorë. Ai u qëllua nga një plumb në krah, në hyrje të pallatit ku banonte. Policia dyshonte se ngjarja kishte ndodhur për larje hesapesh dhe se kishte lidhje me krimet e kryera nga Armando Sulejmani në të shkuarën e tij. Nga ana tjetër Sulejmani, si ish-anëtar i bandës së Gaxhait ka pasur konflikte edhe me familjen Llanaj. Nga të dy palët kanë ndodhur ngjarje kriminale, derisa në vitin 2015, ndodhi masakra e Çoles, ku pas një sherri në kazino u vranë 3 të rinj. Një nga të arrestuarit për masakrën është Aleksandër Llanaj, vëllai i Ferdinand Llanajt, i njohur me nofkën “Robi”. Këtij të fundit iu bë një atentat mafioz në vitin 2017 dhe i dyshuari kryesor ishte Armando Sulejmani. Për këtë ngjarje ai u dënua me 20 vite burg por është liruar në rrethana të paqarta pak kohë më vonë.
Nga ana tjetër, Armando Sulejmani, bashkë me vëllezërit Sokol dhe Spiro, apo i quajtur ndryshe Bernard Sinomataj, kishin qenë të dyshuar edhe për vrasjen e Edison Harizajt. Për vrasjen e “Il Padrinos”, i cilësuar si një nga njerëzit më të fortë të Vlorës, ngjarje e ndodhur në Durrës në nëntor të vitit 2018, janë hetuar e mbajtur nën vëzhgim për disa muaj Sulejmani dhe vëllezërit Sinomataj. Edison Harizaj ishte një nga personat më të ruajtur, për shkak të konflikteve të shumta që kishte nga trafiku i drogës, vrasjet dhe gjobëvëniet. Veç të tjerave Harizaj kishte një aleancë edhe me grupin e Selenicës, konkretisht me Ferdinand Llanajn. Po ashtu, Harizaj njihej edhe për miqësinë me Emiljano Shullazin. Edison Harizaj, bashkë me shokun e tij, Genci Çaçi, u qëlluan me mbi 50 plumba, ndërsa po udhëtonin në drejtim të Kavajës me një makinë “Audi A8”. Ndërsa pas vrasjes së tij, duket se ishte Inez Hajrulla, njeriu i tij më i afërt, që do të niste planet për hakmarrje. Hajrulla po ashtu u tentua të ekzekutohej, por u shpëtoi dy atentateve, për të cilat u hetua Spiro Sinomataj.
10 Maj 2021
Vrasja e Bledar Birçajt, i zunë pritë dy persona
Në orën 12 e 59 të datës 10 maj 2021, në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë një karburanti, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit “BMW X5”, me targë AB 797 CS. Nga verifikimet e menjëhershme rezultoi se ishte vrarë Bledar Birçaj, 38 vjeç. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjetën 29 gëzhoja model 56, ndërsa në automjet kishte 24 vrima të shpimit me armë zjarri. Teksa ishte futur në sallën e operacionit, në Spitalin e Vlorë ku ndërroi jetë, viktimës iu gjet në brez një pistoletë “Bereta”.
Është bërë administrimi i pamjeve filmike të subjekteve të rrugët që ka ndjekur Bledar Birçaj, nga lokali në pronësi të tij “The Boss”, deri në vendin e ngjarjes dhe po ashtu edhe rrugët që kanë ndjekur autorët për të shkuar drejt vendit ku kryen vrasjen, si dhe rrugët që kanë ndjekur për t’u larguar. Nga verifikimi i pamjeve ka rezultuar se autorët kanë përdorur automjetin “Mercedez C Class” me ngjyrë gri, me xhama të zinj, i cili kishte targa që ishin vjedhur në Fier. Pas ngjarjes makina e autorëve ka lëvizur drejt fshatit Kaninë, nga aty është futur në bypass për të dalë tek varrezat e qytetit e më pas në fshatin Risili. Për herë të fundit është fiksuar nga kamerat e një subjekti në vendin e quajtur “Bishti i malit”, në fshatin Armen.
Ndërsa Bledar Birçaj ka lëvizur nga bar “The boss”, shëtitorja “Lungomare”, ka hyrë në rrugën “Pelivan Leskaj”, më pas në unazën e qytetit dhe afër karburantit në lagjen “Hajro Çakërri” është qëlluar me armë zjarri nga dy persona, të cilët i kanë bërë pritë dhe me pas janë larguar.
Viktima, Bledar Birçaj, ishte pronar i bar “The Boss”, i cili ndodhet në kompleksin “Oslo”, si dhe kishte rreth 2 vite që kishte nisur të ndërtonte një hotel 3-4 katësh në lagjen “Uji i Ftohtë”, në Vlorë. Nga informacionet e grumbulluara, grupi hetimor ngriti pistat e para për vrasjen e tij:
Në vitin 2011 Bledar Birçaj kishte pasur një konflikt pronësie me Artur Tahirajn. Nga verifikimet e para i është marrë deklarim këtij personi, i cili ka deklaruar se konfliktin me Birçajn e kishte mbyllur në vitin 2012 dhe nuk e ka vazhduar më.
Nga verifikimet e Policisë Kufitare ka rezultuar se Bledar Birçaj kishte hyrë në Shqipëri më 13 shkurt 2021 nga Muriqani, ku sipas të dhënave kishte qëndruar në Belgjikë dhe Spanjë. Birçaj ishte i njohur si lidhje shoqërorë e vëllezërve Sokol dhe Spiro Sinomataj, që ushtronin aktivitet kriminal në Belgjikë. Në këtë drejtim grupi hetimor kishte të dhëna se ka qenë i përfshirë në grabitjen me dhunë dhe amë të sasive të lëndëve narkotike, kokainë dhe kanabis.
Bledar Birçaj kishte bashkëjetuar me një vajzë të quajtur Ornela, e cila është motra e bashkëshortes së Fatmir Hysenit, i njohur si “Doqja”. Bashkëshortja e Hysenit ishte larguar nga Shqipëria më 13 prill 2021 në drejtim të Turqisë e më pas në Spanjë. Në këtë lidhje dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur edhe nga rivalet e grupit kriminal çam.
Bledar Birçaj, kishte pasur po ashtu konflikt me Elton Gërdhuqin, për shkak të prishjes së pazareve të drogës, ku dyshohet se viktima i kishte grabitur një sasi lënde narkotike në Belgjikë dhe Spanjë. Elton Gërdhuqi është djali i Kleo Gërdhuqit i vrarë më 9 gusht të vitit 2007. Në kohën kur u vra i ati, Elton Gërdhuqi ishte në arrest shtëpie si i dyshuar për një vrasje të kryer në vitin 2001 tek Karburanti pranë Kripës në qytetin e Vlorës, por më vonë hetimet për të u pushuan. Madje më momentin e vrasjes së Kleo Gërdhuqit, pak metra lag vendit të vrasjes, në shtëpinë e viktimës, ndodhej një efektiv i policisë së Vlorës, i cili ruante Elton Gërdhuqin, që ishte në arrest shtëpie. Ndërsa vëllai i Eltonit, Gentiani, ka qenë i dënuar si një prej autorëve të vrasjes së vëllezërve Kërri, të cilët në vitin 1999 kishin vrarë 3 pjesëtarë të fisit Gërdhuqi, miq të Zani Caushit. Gentiani u lirua me amnistinë e vitin 2017. Vetë Elton Gërdhuqi është arrestuar për herë të fundit në vitin 2018 në Vlorë për armëmbajtje pa leje.
Po ashtu, Birçaj ka pasur një konflikt edhe me Azbi Beqirajn, i njohur me nofkën “Bushi”, i cili është vëllai i Taulant Beqirajt, i vrarë më 3 mars të vitit 2021. Taulani ka qenë lidhje shoqërore e vëllezërve Gërdhuqi. Edhe në këtë rast motivi i konfliktit ishte grabitja e lëndës narkotike. Rezultoi se Azbi Beqiraj ishte larguar nga Shqipëria më 23 prill 2021.
Gjithashtu, grupi hetimor kishte të dhëna, edhe pse të pathelluara, që bënin fjalë për një konflikt të Bledar Birçajt me Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, me motiv të njëjtë: Grabitja nga ana e Birçajt të një sasie lënde narkotike në Spanjë, që i përkiste Arben Isufit.
Megjithatë, pasi janë analizuar të gjitha variantet, pista kryesore e hetimit ishte se vrasja e Bledar Birçajt ishte kryer për shkak se ai, së bashku me Delon Troqen dhe persona të tjerë, kishin grabitur një sasi lënde narkotike në Spanjë. Grupi hetimor dyshon se kjo ngjarje është organizuar kundrejt pagesës nga ana e Ferdinand Llanajt, për llogari të një grupi kriminal që vepron në qytetin e Elbasanit.
21 Maj 2021
Vrasja e Delon Troqes pranë stadiumit “Flamurtari”
Më 21 maj të vitit 2021, rreth orës 21 e 40, Policia e Vlorës është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në lagjen “Pavarësia”, pranë pallatit të sportit “Flamurtari”. Grupi hetimor shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes, që isht përpara një servisi automjetesh, përballë hyrjes së pallatit të sportit. Në trotuar, para qepenit të servisit, u gjet i shtrirë dhe i gjakusur, pa shenja jetë, 38-vjeçari Delon Troqe. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjetën 11 gëzhoja arme zjarri model 56. Troqe, ishte qëlluar nga 9 plumba, një në kokë dhe plagët e tjera ishin në trup. Viktimës iu gjet me vete edhe një armë zjarri, pistoletë “TT”, me 7 fishekë në krehër dhe një në fole. Rreth orës 21 e 55, nga ana e shërbimeve policore, të angazhuara për kontrollin e territorit pas ngjarjes, në fshatin Sherishtë, në rrugën që lidh bypass-in e qytetit me brendësinë e fshatit, pranë rezervuarit, u gjet i djegur automjeti “Audi”, i zi, brenda të cilit u gjetën të djegura dy armë zjarri automatike. Targat e makinës, që rezultoi se u përkiste autorëve, rezultuan të vjedhura në Fier, ndërsa mjeti kishte ardhur nga Kosova.
Nga këqyrja e pamjeve filmike dallohej automjeti i autorëve, i cili pasi del nga rrugica mbrapa stadiumit “Flamurtari”, afrohet në vendin ku ndodhej Delon Troqe në pjesën e verandës së servisit të tij dhe nga dritarja e pasme e mjetij, krahu i shoferit, hapet zjarr dy herë në drejtim të tij. Më pas makina largohet në rrugën “Pelivan Leskaj”, në drejtim lëvizje për nga unaza e qytetit dhe me pas në drejtim të Kaninës për të shkuar pranë liqenit të fshatit Sherishtë, ku dhe u gjet i djegur.
Grupi hetimor nisi menjëherë verifikimet në lidhje me konfliktet e mundshme që mund të kishte pasur viktima. Rezultoi se, në vitin 2014, më datë 3 maj, Delon Troqe kishte goditur me mjete të forta, Thoma Dumanin në lagjen “Pavarësia” dhe kishte plagosur lehtë djalin e tij, Enkel Dumani. Gjithashtu, ai kishte pasur një konflikt edhe me Alket Hilën, në vitin 2018, ku Hila e kishte goditur Troqen me sende të forta. Në lidhje me verifikimet e kryera për përfshirje të mundshme në aktivitete kriminale të Delon Troqes ka rezultuar se ai ka qenë skafist dhe është marrë me trafikim të lëndëve narkotike. Po ashtu, ai kishte vetëm disa muaj që ishte kthyer nga Spanja, ku kishte qëndruar për një periudhë disa mujore dhe ka qenë i përfshirë në aktivitete kriminale në fushën e narkotikëve. Sipas informacioneve të siguruara në rrugë operative, Troqe kishte krijuar konflikte në Spanjë si pasojë e këtij aktiviteti kriminal.
Delon Troqe ishte i afërmi i Elvis Troqes, i zhdukur pa gjurmë në Vlorë që prej datës 17 korrik të vitit 2018. Askush nuk ka mësuar asgjë rreth fatit të tij, që nga momenti kur e hipën në një automjet tip “Mercedes-Benz”. Një ditë pas ngjarjes, nisur nga deklarimet e babait të Troqes, Policia mori në pyetje Inez Hajrullain, por ai ka mohuar përfshirjen e tij. Për këtë ngjarje, ka qenë i dyshuar edhe Edison Harizaj, që u ekzekutua më pas në nëntorin e atij viti.
Policia referonte në Prokuror se pista kryesore e hetimit është se vrasja e Troqes është kryer për shkak të aktivitetit të tij kriminal në fushën e narkotikëve në Spanjë, ku dyshohet se së bashku me Bledar Birçajn dhe persona të tjerë, kanë grabitur një sasi lënde narkotike dhe në këtë ngjarje, Delon Troqe ka pasur rolin e skafistit. Policia referonte gjithashtu se, organizator i vrasjes së tij, dyshohet se ka qenë Endrit Sadedini, i cili ka qenë shofer në automjetin e përdorur në krim dhe ekzekutor dyshohet të ketë qenë lidhja e tij e ngushtë shoqërore dhe kriminale, Flobenc Meçja, i njohur edhe si Florenc Drini, lindur në Shkodër dhe banues në Elbasan.
Endrit Sadedini i shpëtoi një atentati me eksploziv mesditën e 19 dhjetorit të vitit 2021, nga i cili në fakt iu dëmtuan rëndë gjymtyrët. Tritoli ishte vendosur në trotuar, në afërsi të garazhit ku Sadedini ka parkuar makinën. Në momentin që ka parkuar, ka ndodhur edhe aktivizimi i eksplozivit që ka shpërthyer duke plagosur rëndë Sadedinin.
5 Mars 2022
Vrasja e mbetur në tentativë e Romeo Meçajt
Më 5 mars të vitit 2022, rrëth orës 20 e 35, në lagjen “Pavarësia”, pranë stadiumit “Flamurtari”, në Vlorë, është tentuar të vritet Romeo Meçaj. Policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri dhe menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjes. Në sheshpushimin midis pallatit të sportit dhe stadiumit është parë një fuoristradë ngjyrë blu, ku në sediljen e shoferit ndodhej një person i gjakosur, i cili ishte i plagosur. Ai është transportuar menjëherë në Spitalin e Vlorës për të marrë ndihmën e para dhe paraqitej në gjendje të rëndë. Për këtë arsye është nisur me urgjencë drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestruar 18 gëzhoja arme zjarri, model 56, si dhe automjeti “Nissan”, brenda të cilit u gjet edhe një celularë, që i përkisnin të plagosurit. Rreth orës 21, nga ana e shërbimeve të Policisë, pranë zonës së “7 pallateve”, në lagjen “Uji i ftohtë”, u gjet i djegur automjeti “Golf 6”, i cili u përkiste autorëve. Pas verifikimeve, rezultoi se makina ishte vjedhur në Lushnjë. Brenda saj u gjetën të djegura edhe dy automatikë që ishin përdorur në krim.
Në lidhje me këtë ngjarje, është bërë verifikimi i Endrit Sadedinit, me dyshimet se mund të kishte qëlluar, por në duart e tij nuk janë konstatuar mbetje të faktorëve plotësues.
Sipas grupit hetimor, autorët e dyshuar të ngjarjes, e kanë pritur Romeo Meçajn në rrugicën që të çon në pjesën e pasme të stadiumit “Flamutari” dhe pasi e kanë pikasur rreth orës 20 e 30 duke hipur në makinën e tij “Nissan”, kanë lëvizur pas tij. Në një distancë rreth 100 ose 150 metra nga vendi i nisjes, në pjesën e sheshpushimit përpara stadiumit, autorët janë afruar me mjetin “Golf 6” dhe në momentin që janë ndodhur pothuajse paralel, kanë hapur zjarr në drejtim të Meçajt. Pasi kanë kryer ngjarjen, autorët janë larguar në drejtim të zjarrfikëses së qytetit, duke përshkuar rrugicën dytësore që ndodhet mbrapa stadiumit dhe më pas kanë dalë në rrugën “Pelivan Leskaj”, për të vijuar më pas në unazë dhe kanë mbërritur në zonën e “7 pallateve”, ku kanë djegur makinën.
Në lidhje me verifikimet e kryera për përfshirjen e mundshme të Romeo Meçajt në aktivitete kriminale, ka rezultuar se ai ka pasur aktivitet në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në rolin e skafistit dhe pikërisht për shkak të konflikteve të krijuara në këtë aktivitet ka dyshime se është tentuar të vritet. Policia ka administruar informacione se këto konflikte ai i kishte me Endrit Sadedinin, i cili u dyshua si organizator i kësaj ngjarjeje. Automjeti i vjedhur në Lushnjë, që është përdorur nga autorët e ngjarjes, është siguruar nga lidhjet e ngushta shoqërore të Endrit Sadedinit, të cilët janë Denilson Dusha dhe Apostol Puka. Ndërsa sipas grupit hetimir, ka dyshime se në rolin e ekzekutorit ka qenë Flobenc Meçja, që u dyshua edhe për vrasjen e Delon Troqes. Në drejtim të automjetit që është përdorur në krim, dyshohet të ketë qenë Benard Aliaj, lidhje tjetër shoqërore e Endrit Sadedinit. Aliaj dyshohet se ka bërë edhe djegien e automjetit dhe ka strehuar autorin e ngjarjes në banesën që ai ka në të njëjtën zonë. Policia ka verifikuar se kjo banesë është e pajisur me sistem kamerash sigurie. Më datë 10 mars 2022 i është bërë kërkesë me shkrim prokurores së çështjes për lejimin e kontrollit të banesës së Benard Aliajt, por kjo kërkesë nuk është miratuar.
7 Janar 2024
Vrasja me snajper e Gëzim Sinomatajt
Rreth orës 22:00, të datës 7 janar 2024, lagjja “Hajro Cakërri”, pranë Poliklinikës në Vlorës, ishte në errësirë të plotë. Gëzim Sinomataj, 22 vjeç, djali i vetëm i Sokol Sinomataj, i cili kishte ardhur nga Belgjika më 18 dhjetor të vitit 2023, ndodhej në shtëpinë e xhaxhait të tij Spiros, i njohur edhe me emrin Bernard. Një makinë “BMW” dyshohet se mund të ketë qëndruar e parkuar disa metra më tutje, për disa minuta, me një rreze që shikonte drejt ballkonit të apartamentit të Sinomatajt. Kjo makinë është gjetur e djegur në lagjen “24 Maji” ku po ashtu ishte errësirë, gjë që ngre dyshimet se autorët e kanë njohur zonën dhe kishin llogaritur gjithçka, pasi energjia është rikthyer rreth 10 minuta pas ngjarjes. Në makinë është gjetur një bllok betoni, i vendosur në pjesën e pasme të saj. Nga rindërtimi i ngjarjes, ekspertët e Policisë besojnë se ky bllok betoni ka shërbyer për të fiksuar snajperin e përdorur në vrasje. Autori, që sipas ekspertëve mund të jetë një profesionist në përdorimin e snajperit, ka pritur momentin kur në ballkonin që kishte marrë në shenjë të dilte objektivi. Nuk është e qartë nëse objektiv i atentatit ka qenë djali apo vëllai i Sokol Sinomatajt, megjithatë një ngjarje me organizim të tillë vështirë se mund të ketë ngatërresë në objektiv. Në momentin që në ballkon ka dalë për të pirë cigare Gëzim Sinomataj, atentatori ka tërhequr këmbëzën, duke e lënë të vdekur në vend me një plumb në kokë.
Përveç predhës së një fisheku 7 milimetër, që ka goditur 22-vjeçarin, autorët nuk kanë lënë asnjë gjurmë tjetër në vendngjarje. Fakti që zona ka qenë në errësirë, para, gjatë por edhe 10 minuta pas ngjarjes, po verifikohet nga Policia si pjesë e planit të atentatorëve. Edhe pse ditën e ngjarjes, Vlora ka qenë e përfshirë një nga stuhi, që mund të ketë sjellë ndërprerjen e energjisë elektrike. Kamerat e sigurisë në këto kushte nuk kanë fiksuar asgjë. Ndërsa në makinën e djegur të atentatorëve, zjarri nuk ka lënë asnjë provë të vlefshme. RENEA e FNSH kanë ushtruar kontrolle në disa zona të Vlorës e deri në Selenicë, nisur nga konfliktet e familjes Sinomataj, megjithatë deri tani nuk ka asnjë të dyshuar konkret.
Hetimet e para të kryera për këtë ngjarje, i çuar oficerët e Policisë drejt pistës së hakmarrjes. Një hakmarrje që lidhet me babanë e tij, Sokol Sinomajat, i njohur si “Buzëderri”, pasi vetë Gëzimi rezultonte i pastër. Kur Sokol Sinomataj iu bashkua bandës së Gaxhait në vitin 1997 ishte në moshën e të birit. Por, pavarësisht jetës që kishte bërë, u kujdes që djali të mos ecte në gjurmët e tij. Vendosi ta mbante larg. Gëzimi ishte djali i tij i vetëm. Sokol Sinomataj e kishte larguar atë nga Shqipëria drejt Belgjikës, ku vazhdonte studimet. Ndërsa u kthye në Vlorë për festat e fundvitit.
Pas një mesazhi që i dhanë Sokol Sinomatajt dy vite më parë, kur më 3 janar 2022 i hodhën në erë makinën e të vëllait, Bernardit, kësaj radhë goditja ishte fatale. U vra djali i tij. Fakti që ngjarja ndodhi në të njëjtin vend ku ndodhi dhe shpërthimi, në apartamentin ku jetonte edhe Bernard Sinomataj, pati dyshime edhe për një ngatërresë në objektiv.
Duke përjashtuar disa nga pistat e ngritura fillimisht, grupi hetimor po mban ende si një version të mundshëm, grabitjen e një sasie lëndë narkotike në Belgjikë. Edhe kjo ngjarje, ngjason me 4 të mëparshmet në Vlorë, që po ashtu janë referuar në Prokurori si vrasje për larje hesapesh, për sasi të ndryshme droge të grabitura në Spanjë e Belgjikë.
Ervin Karamuço: Rasti i Vlorës, është një rast ku dyshohet se personi që ka qëlluar me snajper mund të jetë një shtetas i huaj, i konktraktuar për të kryer këtë krim. Konfliktet në Shqipëri që shkojnë në atentate kaq të rënda vijnë si pasojë e drogës. Droga ne po na vret shumë të rinj. Po na i vret në atentate, po na i vret në mënyra nga më të sofistikuarat. Ky është një motiv kryesor, shumë i rëndësishëm për t’u studiuar dhe për t’u parandaluar. Droga ne, jo vetëm po na helmon të rinjtë, por po na vret ata që e sjellin këtë drogë, ata që mundohen të përfshihen për të përfituar. Dhe jo vetëm po i vret, por po rrezikon që të përhapë një sagë shumë të madhe edhe te rrethi i tyre familjar e shoqëror. Sepse hakmarrja vijon e vijon, thjeshtë si një fortë të shpagimit për të gjithë ato para të humbura nga grupi tjetër që i ndjeri nuk i ka dhënë mbrapsht.
Pas kësaj që ndodhi në fillim të vitit në Vlorë, askush nuk ka më siguri për çfarë do të ndodhë më pas. Sa nuk është vonë, Prokuroria duhet të vlerësojë se paku ato dosje të referuara me emra konkret të dyshuarish. Kur një vrasjeje i dihet motivi, porositësi dhe ekzekutori dhe askush nuk është në burg për të, çfarë mund të themi për ato vrasje, në dosjet e të cilave shkruhet vetëm emri i viktimës dhe numri i gëzhojave në vendin e ngjarjes!? /Emisioni Gjerat Tona-abcnews/