Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani pas vendimit të Gjykatës së Apelit për vulën e PD-së e cila vendosi që të rikthejë në Shkallën e Parë vendimin e dhënë nga gjykatësi Zhukri dhe për të pranuar palën e Alibeajt, si palë në gjykim.
Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social ‘Facebook’, Manjani shkruan se gjykata vendosi siç qeveria shqiptare kishte paravendosur, ndërsa shtoi se me këtë vendim drejtësia vërtetoi se ka marrë fund.
Postimi i Manjanit:
“Pra gjykata e pavarur vendosi siç qeveria shqiptare kishte paravendosur. Këtë vendim ministrja e jashtme ia kishte njoftuar Serbisë që para 10 ditëve. Shumë vetë më thonin “s’është e vërtetë”… Por, ja ku është fakti! Tani të na rrojë refoma, se drejtësia ka marrë fund. Sot është legalizuar një precedent që përmbys rregjimin juridik dhe godet shumë rëndë sistemin demokratik.
E kuptoni apo jo! Kanë vendosur të ndalojnë opozitën më të madhe të konkurrojë në zgjedhje. E zëvendësojnë atë me vendim gjykate dhe me një grusht mercenarësh që mbajnë peng një vulë pa asnjë votë apo strukturë partie!!! Natën e mirë e të fala edhe palaçove që përfaqësojnë Amerikën!”, shkruan ai.
Sot, Apeli e ktheu sërish për gjykim çështjen për vulën dhe siglën e PD-së. Përfaqësuesi ligjor i palës së Alibeajt u shpreh se është pranuar kërkesa për rigjykim në shkallën e parë duke pranuar kështu ankimin e Enkelejd Alibeajt. Apeli ka hedhur poshtë vendimin e marrë më herët nga gjyqtari Zhukri, i cili njihte kuvendin e Berishës më 11 dhjetorit.