Pamjet që shihni më poshtë vijnë nga Hatay, zona turke në kufi me Sirinë, e cila pasditen e sotme u godit sërish nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.4 ballë duke shkaktuar sërish panik te qytetarët.
Siç shihet edhe nga pamjet e mëposhtme, lëkundja ka qenë aq e fortë sa ka bërë që toka të lëkundet majtas-djathtas, teksa vihet re edhe shkëputje e energjisë elektrike.
Sipas raportimeve nga mediat turke, dy lëkundjet ndodhën ndërkohë që vijojnë operacionet për nxjerrjen e trupave dhe heqjen e mbeturinave nga dy tërmetet shkatërruese me magnitudë 7.8 dhe 7.6 ballë, të cilët më 6 shkurt shkatërruan 11 provinca turke ku u goditën 72 qytete dhe fshatra në Turqi dhe Sirinë fqinje.
“Fatkeqësisht disa shtëpi janë shembur. Njerëzit kanë mbetur nën rrënoja”, – tha guvernatori i Hatay, Lutfu Savas, duke shtuar se ekipet e shpëtimit janë dërguar në vendngjarje për t’i ndihmuar. Mediat turke raportuan se, një foshnjë 1-vjeçare ka mbetur nën rrënoja. Guvernatori i Adanas tha se në qytetin e tij nuk raportohet për dëme pas lëkundjeve të fundit.