Gjigantët e teknologjisë Google, Facebook, Twitter dhe Apple po përballen me rregulla më të ashpra nga BE për përmbajtjen e tyre në internet. Rregullat e reja, të njohura si Akti i Shërbimeve Dixhitale (DSA) që kompanitë do të ndjekin kanë të bëjnë me menaxhimin e rreziqeve dhe kontrollin e tyre të pavarur nga grupe të tjera shkencore. Ata tani e tutje duhet t’u ofrojnë të dhëna autoriteteve dhe studiuesve dhe të miratojnë një kod specifik etik.
Komisioni Evropian u kishte dhënë afat platformave online dhe motorëve të kërkimit deri sot, më 17 shkurt, për të publikuar numrin e përdoruesve aktivë që kanë në platformat e tyre çdo muaj. Ata gjithashtu kanë katër muaj për të respektuar rregullat e reja të BE-së ose do të përballen me gjoba.
Twitter tha se ka 100.9 milionë përdorues në muaj në BE, bazuar në një vlerësim të 45 ditëve të fundit.
Sa i përket Google, numri mujor i përdoruesve të regjistruar ishte 278.6 milion në Google Maps, 274.6 milion në Google Play, 332 milion në Google Search, 74.9 milion në Shopping dhe 401.7 milion në YouTube.
Apple tha se App Store i ndërtuar vetëm për iPhone-ët e saj, ka më shumë se 45 milionë përdorues në muaj, mund të konsiderohet një platformë shumë e madhe në internet. Kështu kompania do të zbatojë të njëjtat rregulla në App Store për iPad, kompjuterë Mac, Apple Watch dhe TV.
“Apple synon të pajtohet me kërkesat ekzistuese të DSA që kanë si qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga përmbajtja e paligjshme”, thuhet në një deklaratë.
Në fillim të kësaj jave, Meta Platforms (Facebook) tha se kishte 255 milionë përdorues aktivë mesatarë mujorë në Facebook në BE dhe rreth 250 milionë përdorues mesatarë mujorë aktivë në Instagram në gjashtë muajt e fundit të 2022.