Rusia ndërmori të premten një valë sulmesh me raketa dhe dronë në gjithë Ukrainën, ndërsa ofensiva e Moskës, që Kievi thotë se ka nisur prej ditësh, duket se është intensifikuar në zonat lindore në prag të përvjetorit të agresionit. Forcat ruse kanë hedhur mbi 100 raketa dhe shtatë dronë që nga e enjtja, tha shefi i ushtrisë së Ukrainës, gjeneral Valerii Zaluzhnyi.
Forcat ukrainase
Forcat ukrainase rrëzuan 61 raketa dhe pesë dronë, tha ai. Kryeministri i Ukrainës Denys Shmyhal tha se Moska vuri përsëri në shënjestër infrastrukturën e energjisë elektrike në “një tjetër përpjekje për të shkatërruar sistemin energjetik të Ukrainës dhe për t’i privuar ukrainasit nga dritat, ngrohja dhe uji.”
“Kemi pësuar dëmtime në infrastrukturën e tensionit të lartë në rajonet perëndimore, qendrore dhe lindore, të cilat mund të shkaktojnë ndërprerje të energjisë,” tha ai.
Zelensky
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili ka bërë fushatë për më shumë mbështetje perëndimore, tha: “Ky është terror që mund dhe duhet të ndalet.”
Forcat e Kremlinit u përqendruan në lindjen industriale të Ukrainës, veçanërisht në provincat Luhansk dhe Donetsk që përbëjnë rajonin industrial të Donbasit ku luftimet e fundit kanë qenë më intensive, tha ushtria ukrainase. Separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar kundër forcave ukrainase atje që nga viti 2014.
Por vala e sulmeve shkoi edhe më tej, duke vënë gjithashtu në shënjestër kryeqytetin Kiev dhe Lvivin, pranë kufirit perëndimor të Ukrainës me Poloninë. Goditjet u drejtuan gjithashtu ndaj infrastrukturës kritike të Kharkivit, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës në verilindje. Shtatë persona u plagosën, dy prej të cilëve rëndë, tha guvernatori rajonal Oleh Syniehubov.
Sirena alarmi
Sirenat e alarmit për sulme ajrore u dëgjuan në pjesën më të madhe të vendit. Kievi beson se Moska po planifikon një sulm nga toka në lindje, ku Kremlini po përpiqet të sigurojë kontrollin e zonave që ka aneksuar ilegalisht dhe ku pretendon se sundimi i tij është i mirëpritur.
Në rajonin e Donetskut, zyrtarët lokalë ukrainas njoftuan se ushtria ruse dislokoi trupa shtesë dhe nisi operacione sulmuese. “Ka një përshkallëzim të përditshëm dhe sulmet ruse po bëhen aktive në të gjithë rajonin,” tha guvernatori Pavlo Kyrylenko.
Luhansk
Në provincën Luhansk, ushtria ruse po përpiqet të godasë mbrojtjen e Ukrainës, sipas guvernatorit rajonal Serhii Haidai.
“Situata po përkeqësohet, armiku po sulmon vazhdimisht, rusët po sjellin një sasi të madhe pajisjesh të rënda dhe avionë,” tha zoti Haidai.
Po të premten, Ministria e Mbrojtjes e Moldavisë tha se një raketë u diktua në hapësirën e saj ajrore pranë kufirit me Ukrainën. Ministria e Jashtme e Moldavisë tha në një deklaratë se ambasadori rus në Kishinau është thirrur për të folur mbi “shkeljen e papranueshme”.
Ministria tha se raketa u diktua në hapësirën e saj ajrore rreth orës 10 të mëngjesit dhe kaloi mbi dy fshatra kufitare përpara se të drejtohej për në Ukrainë. Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yurii Ihnat, i tha agjencisë Associated Press se një tjetër raketë kaloi në hapësirën ajrore të Rumanisë, një vend anëtar i NATO-s. Por ministria e mbrojtjes e Rumanisë e mohoi një gjë të tillë, duke thënë se raketa më e afërt me hapësirën ajrore të Rumanisë ishte afërsisht 35 kilometra larg./VOA