Pas humbjes së dy bejetave për liri në Gjykatën e Lartë, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, troket sërish në këtë gjykatë për të njëjtin qëllim. Me dy rekurese të pavarura nga njëri-tjetri, Koka kërkon lirim nga dy masat e sigurisë “arrest në burg”, për shkak të problemeve shëndetësore.
Ish-ministri i marrë si i pandehur nga SPAK për inceneratorin e Fierit dhe atë të Elbasanit, qëndron në burg prej dhjetorit 2021, ndërsa shfaqi shqetësime të shëndetit në korrik të vitit të kaluar. Në kërkimet e tij në Gjykatën e Lartë, ish-zytari i lartë pretendon se, si rezultat i problemeve kardiake, vijimi i qëndrimit në paraburgim mund t’i rrezikojë jetën.
Në Gjykatën e Posaçme, gjendja shëndetësore e rënduar e Kokës është provuar edhe përmes akt-ekspertimeve mjeko-ligjore nga ekspertë të caktuar nga gjykata, por togat e zeza nuk janë bindur për të zbutur masën e sigurisë ndaj tij.
Në një prej vendimeve të Gjykatës së Posaçme, gjykata arsyetonte se bazuar në ligjin për trajtimin e të burgosurve, për nevoja specifike i paraburgosuri mund të merrte shërbime edhe në spitale jashtë sistemit të burgjeve.
Lefter Koka akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “pastrim të parave”. Rekursi i fundit, e çojnë në katër herët e përjekjeve të tij në Gjykatën e Lartë për liri. E njëjta gjykatë, ka refuzuar edhe dy herë të tjera kërkesat e tij kundër sekuestrimit të disa pasurive.