Nga Ola Xama-Unë e kam takuar për herë të parë Arlind Gjokutajn kur ka qënë drejtor i Parandalimit dhe Pastrimit të Parave. Më la përshtypjen e një zyrtari që nuk i druhej transparencës dhe nuk kishte frikë të përgjigjej për ato që pyetej. E kam marrë në intervistë dhe nuk ka kërkuar të dijë pyetjet apo të japë pyetje të porositura.
Për çdo kërkesë që kemi patur si media e që në këtë drejtori mund ta refuzonin apo klasifikonin si “konfidenciale” ai e ka dhënë. Në atë kohë, por dhe sot, në profesionin tonë ndeshemi shpesh me refuzime për dhënien e dokumentave zyrtare dhe institucionet që i japin informacionet pa sorrollatje dhe ankesa numërohen me gishtat e duarve.
Kam parë punën e Drejtorisë së Doganave në kohën kur ai ishte drejtues. Administrata nisi një aksion kundër informalitetit në sektorin e naftës, një fushë ku gjithmonë ka patur dyshime për kontrabandë të tmerrshme. Edhe gjatë kësaj kohe nuk kam dëgjuar ankesa nga biznese apo palë interesi, siç dëgjojmë rëndom për korrupsion apo rryshfet në këtë institucion.
Edhe pasi u shkëput nga doganat, e kam takuar disa herë rastësisht dhe më ka lënë përshtypjen e një njeriu që shqetësohej për raportet negative për vendin dhe dinte të kritikonte punën e dobët të institucioneve apo të shprehte idenë e tij kur gjërat mund të bëheshin më mirë, apo ishin bërë mirë.
Nga shumë zyrtarë servilë dhe të korruptuar, mua personalisht Arlindi nuk më ka lënë përshtypjen e një zyrtari të tillë. Ndaj dhe përpara se të krijoj një bindje për çështjen që është arrestuar, do të pres për të parë deri në fund rezultatin e hetimeve dhe gjykimit.
Arsyet se përse mendoj të pres përpara se të krijoj një bindje lidhen me disa pika:
– Vendimi i përmbaruesit është urdhër për institucionet dhe këto shkresa kalojnë njëherë te Drejtoria Juridike përpara se të shkojnë te Sekretari i Përgjithshëm.
– Nuk mund të thuash që është i korruptuar kur nuk provon dot se ka marrë paratë.
– Personi është vënë nën hetim 8 muaj dhe është arrestuar pa u vënë në dijeni dhe pa u pyetur asnjëherë nga prokurori, duke shkelur kështu Kodin e Procedurës Penale. Por nëse ai del nesër i pafajshëm dhe kërkon dëmshpërblim se nuk i janë respektuar të drejtat, a ka bërë dëm ekonomik prokuroria për buxhetin e shtetit? A ka shpërdoruar detyrën që i jep Kodi?
Prandaj mendoj se përpara se të sulmohet është më mirë të pritet.