Nga Lutfi Dervishi– Kiko u zgjua në mëngjes me vonesë dhe meqë dita ishte gri, mendoi ta kënaqte veten duke bërë disa kuize dhe pyetje. I ngarkuar deri aty ku nuk mban më me informacione, opinione, thashetheme, analiza, hetime, programe televizive dhe parashikime për fatin e pastrueses që ju gjetën në shtëpi rreth 700 mijë euro dhe bizhuteri, Kiko nisi të formulonte një kuiz për t’ia dhuruar emisioneve të mbrëmjes.
Kuiz nr. 1 për Bankën e Shqipërisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të pastrimit të parave: ku është stoku më i madh i parave kesh në bankat e nivelit të dytë apo në banesat e nivelit të parë?
Kuiz nr. 2 për Parlamentin, qeverinë dhe komunitetin ndërkombëtar: Me aplikimin e amnistisë fiskale që populli shqiptar e kërkoi në konsultimin kombëtar, do të legalizohen më shumë para nga 1.500 000 mijë emigrantë që jetojnë jashtë shqipërisë apo nga 150 pastruese në Shqipëri?
Kuiz nr 3 për Parlamentin Europian dhe Brukselin. Ju arrestuat zëvëndës Presidenten e Parlamentit Europian për 500 mijë euro, pa ia hequr imunitetin. A nuk do të ishte më mirë merrnit shembull nga Shqipëria që vijon që prej 1941, teorinë e “Grupi të Zjarrit”, atë të “ruajtjes së kuadrove”
Pas kuizit të tretë Kiko ndjeu një dhimbje koke nga ata që nuk kalohen as me dozë të trefishuar oki. Në një moment kthjellësie të rrallë Kiko u pendua që po mendonte të rregullonte Shqipërinë dhe ca më keq edhe Bashkimin Europian. “Një jetë ka majmuni dhe ajo duhet jetuar, shijuar se kur të ikim nga kjo botë nuk do të marrim asgjë me vete. Pse të mos shoh edhe unë hallet e mia? Mbeta duke u zvarritur sa në një pemë në tjetrën. Pse të mos punoj edhe unë pastrues? Unë mund të pastroj shtëpi, oxhaqe, tuba aspirimi, çdo gjë dhe jam gati të mos marrë as rrogë. Dua të punoj thjesht për hobi”.
Me të thënë e me të bërë, Kiko pltësoi formularin e punësimit te shqiperiaqeduam.al. Duke plotësuar formularin Kiko vuri re se kërkesat për pastrues në banesat e “nivelit të parë” ishin rritur shumë, por nuk kishte asnjë të punësuar. I dëshpëruar nga radha e gjatë për të punuar si pastrues Kiko po i binte kokës me të dy putrat dhe gulçiste: “pse jam kaq i pafat”? Në një nga goditjet që i dha kokës, Kikos befas i shkëlqyen sytë dhe lëshoi një koktejl britmash ku përziheshin, kënaqësia, lumturia, habia, çudia. Ishte një moment Eureka për Kikon.
E gjeta- tha Kiko. Do të punoj pastrues në shtëpitë e pastruesve.