Gazetarja Klodiana Lala e ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me grabitjen e qindra mijëra eurove nga banesa e një ish-zyrtareje të Kryeministrisë së fundmi.
Lala deklaroi se ngjarja e ka zanafillën në datën 15 dhjetor të vitit të kaluar kur policia është informuar nga ish-zyrtarja e lartë e Kryeministrisë Alda Klosi të cilës i ka thënë vajza e mitur se dera e banesës kishte qenë e hapur.
Sipas saj Klosi ka denoncuar vjedhjen e 120 mijë eurove dhe disa bizhuterive prej floriri, ndërsa zbuloi se pas dërgimit në qelinë e paraburgimit të pastrueses Rozeta Dobi dhe djalit të saj Havier këta të dy janë përgjuar nga policia duke zbuluar se në banesën e tyre ishte shifra të tjera parash që dyshohen të vjedhura.
Deklarata
“U desh një pastruese dhe kapja e saj për të dëshmuar atë që është thënë [prej kohësh që në banesat e zyrtarëve të ndryshëm mbahen shuma të mëdha parash që nëse vidhen nuk i denoncojnë sepse nuk i justifikojnë. Ngjarja e ka zanafillën në 15 dhjetor të vitit 2022 kur policia është informuar nga Klosi e cila pretendonte se ishte vjedhur banesa e saj.
Vajza e saj e mitur kishte konstatuar që dera ishte e hapur, Klosi u njoftua nga ajo dhe ka bërë denoncimin, në deklaratën që ka dhënë shprehet që janë vjedhur 120 mijë euro dhe disa bizhuteri floriri. Në momentin që ka ngritur dyshimet te pastruesja që kishte 5 vite aty ajo tha se ajo mund të ketë lidhje me ngjarjen, kur është pyetur pastruesja ka mohuar gjithçka.
Pas kontrollit policor Dobi ka pranuar vjedhjen në shtëpinë e Klosit sepse e urrente atë, ndërsa është arrestuar dhe i biri i cili shfaqte një jetë luksoze. Kur nënë e bir janë futur në paraburgim, policia ka përgjuar bisedat e tyre ku kanë thënë se në banesë kishte shuma të tjera prash pa treguar vendin, gjë që ka sjellë që policia të rikthehet duke sekuestruar rreth 400 mijë euro dhe bizhuteri të ndryshme”, tha ajo.
Më tej, shtoi:
“Kanë shkuar 5 persona për të tërhequr bizhuteritë e vjedhura, mes tyre edhe funksionarë, ndërsa shuma e parave nuk dihet kujt i përket. Kur ka ndodhur ngjarja, policia i ka sekuestruar celularin Dobit dhe ka identifikuar pronarët e banesave ku ajo pastronte të cilët kanë identifikuar bizhuteritë por nuk kanë folur për paratë, çështja që shtrohet është të kujt janë paratë, të Klosit apo personave të tjerë.
SPAK ka deklaruar se po ndjek më vëmendje ngjarjen dhe mund t’i ofrojë Dobit statusin e bashkëpunëtores që ajo të tregojë me detaje se kujt i përkisnin paratë. Thuhet se paratë dyshohet se u përkasin personave ku ka punuar Dobi. Rozeta Dobi ka gjithashtu llogari bankare që janë gjetur, dhe nëse ka para me shifra të mëdha do shihet si do veprohet me të”.