Rruga “Xhon Belushi” në Njësinë 4 ishte segmenti i radhës ku kryebashkiaku Erion Veliaj hodhi asfaltin elektoral dhe do të kishte vijuar me punimet deri në fund, po të mos ishte bërë denoncimi publik nga Partia Demokratike. Mbrëmjen e 6 janarit, kryebashkiaku Veliaj u shfaq më këtë aks që i shërben një komuniteti prej rreth tre mijë banorësh dhe i shoqëruar nga zyrtarë të tjerë, propagandoi shtrimin e një rruge që pas fshihte aferën e 471 mln lekë tender fiktiv.
Me një panoramë perfekte, Veliaj mes grupit dhe pas tij fadromat që punonin, i ndodhur mes Kinostudios, Freskut dhe Njësisë 12, kryetari i Bashkisë tha se do të punohej edhe në fundjavë, me qëllim përfundimin sa më shpejt të punimeve.
“Këtu jemi në një zonë kufitare mes Kinostudios, Freskut dhe Njësisë 12 dhe kolegët tanë e kanë filluar vitin e ri me erën e asfaltit, lopatat e punës, ekskavatorët dhe kamionët, të cilët do jenë këtu 3-4 ditë, deri në fundjavë, derisa të mbarojmë një rrugë, e cila është vërtet e nevojshme për komunitetin. Janë rreth 500 familje nga e gjithë Shqipëria, gjithsej 3 mijë banorë, që banojnë këtu dhe për të cilët rruga e vjetër ua bënte jetën malore. Ndoshta, relievin nuk e ndryshojmë dot, por rrugën e bëjmë të kalueshme, i rrisim vlerën pronës,” u shpreh Veliaj.
Por, pak orë më vonë, nuk kishte as punëtorë dhe as fadroma e eskavatorë. Denoncimi i bërë nga Këlliçi bëri që Veliaj të anulonte tenderin dhe të mos vijohej me punimet. Por, gjithsesi, fakti që punimet kishin vijuar, kur fituesi do të shpallet më 22 janar, është një megaskandal./Dosja.al/