Gjykata e Arezzos në Itali ka lënë të lirë 53-vjeçarin Sandro Mugnai, i cili ekzekutoi fqinjin e tij shqiptar Gëzim Dodoli, mbrëmjen e 5 janarit. Ngjarja ndodhi teksa 59-vjeçari shqiptar po punonte me një ekskavator duke prishur shtëpinë në të cilën ndodhej Mugnai me familjen dhe të afërmit.
Mediat italiane raportojnë se gjyqtari hetues vlerësoi se nuk ka rrezik arratisjeje, përsëritjeje të krimit apo rrezik nga manipulimi i provave dhe nuk ka urdhëruar masë sigurie ndaj 53-vjeçarit italian.
Sipas asaj që mësohet, avokatët mbrojtësit, Marzia Lelli dhe Piero Melani Graverini u fokusuan tek nevoja e ushtrimit të mbrojtjes legjitime, çështje e cila më pas do të trajtohet sërish në vijimësi të procedimit.
Ndërkohë autori që qëlloi 5 herë mbi shqiptarin argumentoi para gjykatësit se do të mbronte familjen e tij që ndodhej në rrezik për jetën nga shembja e menjëhershme dhe e mundshme e çatisë së shtëpisë, e cila u sulmua me goditjet e ekskavatorit të drejtuar nga Dodoli.