Rozeta Dobi dhe djali i saj, Havier Dobi, ende nuk e dinë që Policia ka gjetur në shtëpinë e tyre edhe 400 mijë euro, të fshehura në tubin e aspiratorit. Nënë e bir u njohën paraditen e së Hënës me masën e sigurisë “arrest me burg”, nën dyshimet se kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme parash dhe bizhuteri në shtëpinë e Alda Klosit, ish-zyrtares së lartë në kabinetin e Arben Ahmetaj dhe aktualisht drejtoreshë tek Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare.
Në materialet që prokuroria paraqiti në gjykatë flitej vetëm për 120 mijë euro dhe bizhuteri të çmuara, të cilat pastruesja Dobi. Ndërkohë, në një kontroll të dytë të zhvilluar të Dielën, policia zbuloi në shtëpinë e familjes Dobi edhe rreth 400 mijë euro të tjera. Ky informacion nuk u është bërë ende me dije Rozeta dhe Havier Dobit.
Burime nga prokuroria e Tiranës deklaruan për “Gijotina” se shuma e dytë u zbulua, pasi dosja për masë sigurimi për vjedhjen në shtëpinë e Alda Klodit kishte mbërritur në gjykatë. Për këtë arsye, shuma prej 400 mijë euro nuk u përmend në seancën e së Hënës. Por, ajo që thuhet nën zë nga prokuroria, është fakti qe hetuesit po shpresojnë që të gjejnë “pronarët” e kësaj shume të dytë.
Burime të rezervuara thonë se Rozeta Dobi ka një “biografi profesionale të pasur” si mirëmbajtëse pastërtie në shtëpitë e disa zyrtarëve të rëndësishëm, të cilët nuk kanë bërë kallëzim për vjedhje. Në mungesë të kallëzimeve, prokurorët po shpresojnë që të marrin informacion nga Rozeta Dobi, për te identifikuar “pronarët” e këtyre shumave, si edhe për të zbuluar më tej arsyet se përsë “viktimat e vjedhjes” nuk kanë preferuar t’u drejtohen autoriteteve hetimore.
Rozeta dhe Havier Dobi u arrestuan në fundjavë pas kallëzimit të Alda Klosit, e cila deklaroi në polici se i ishin vjedhur 120 mijë euro dhe bizhuteri. Zyrtarja e lartë shtetërore deklaroi para autoriteteve hetimore se këto shuma parash janë mbledhur nga familjarët e saj për kurimin e xhaxhait në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Deklarimet e Alda Klosit janë marrë me rezervë nga hetuesit, të cilët po kryejnë verifikime për origjinën e kësaj shume të madhe në gjendje cash, jashtë sistemit bankar. Pas arrestimit të dy të dyshuarve, policia aplikoi një rreng standard, duke vendosur Rozeta Dobin dhe djalin e saj, Havierin, në një dhomë të veçantë, pa praninë e personave të tjerë.
Nënë e bir biseduan lirshëm, pa pasur në dijeni se çdo fjalë e tyre përgjohej. Gjatë bisedës, Rozeta dhe Havieri u shprehën disi të çliruar për faktin që policia nuk kishte gjetur të gjitha paratë e fshehura në shtëpinë e tyre.
Ky detaj nxiti oficerët e Policisë Gjyqësorë të riktheheshin për kontroll në shtëpinë e familjes Dobi, ku zbuluan edhe 400 mijë euro të fshehura në tubin e aspiratorit. Tashmë, sfida e prokurorisë është të zbulojë se cili apo cilët janë “pronarët e heshtur” të shumës së vjedhur që nuk guxojnë të bëjnë kallëzim.