Devid Hej vazhdon të bëjë bujë edhe larg ringut ku dikur sfidonte emrat më të njohur të boksit botëror si Vladimir Kliçko. Ai ka çuditur të gjithë Anglinë me historinë e tij pasi ka zbuluar se ka vendosur të nisë vitin e ri me pushime bashkë me dy të dashurat e tij.
Sipas “The Sun”, Hej është në një lidhje si me këngëtaren e grupit “The Saturdays”, Una Hili, ashtu edhe me modelen Sian Osborne. Dhe të njëjtat burime insistojnë se tashmë të dyja pranojnë njëra-tjetrën në këtë lidhje me ish-boksierin ndaj kanë kaluar festat e fundivitit në Londër, para se të shkonin në Marakesh të gjithë së bashku.
Ish-boksieri i peshave të rënda, është në një lidhje me Sian që në vitin 2020, por Una u bë pjesë e jetës së tyre që në tetor, kur festuan bashkë ditëlindjen e 42-vjeçarit në Ibiza. Këngëtarja ishte ajo që postoi këto ditë një foto në Instagram ku shfaqen të tre duke mbajtur duart bashkë. Ndërkohë, raportohet se Hej i ka treguar familjarëve të tij se është i lumtur me këtë lidhje të trefishtë që është krijuar.
Treshja e lumtur është ndarë për pak ditë gjithsesi, për shkak se Una është kthyer në Irlandë pranë dy fëmijëve që ka nga një martesë ë mëparshme, ndërsa Devid dhe Sian kanë vazhduar pushimet e tyre në Kosta Rika.