Zyrtarët e qeverive të Bashkimit Evropian rekomanduan që pasagjerëve që udhëtojnë nga Kina për në BE duhet të kenë test negativ për koronavirus, para se të nisen për në Evropë.
Ky rekomandim vjen në kohën kur Pekini po përgatitet të lehtësojë masat e udhëtimit, pavarësisht se shteti po përballet me një valë të re të infektimeve me sëmundjen COVID-19.
Rekomandimi u bë nga Grupi i Integruar Politik për Përgjigje ndaj Krizave – që përbëhet nga zyrtarët e 27 shteteve të BE-së – dhe është në linjë të njëjtë me rekomandimin e bërë paraprakisht nga Komisioni Evropian.
Pekini planifikon që të lehtësojë kufizimet për udhëtime më 8 janar, pavarësisht një vale të re të infektimeve që ka ngarkuar spitalet dhe morgjet në Kinë.
Grupi i BE-së po ashtu rekomandoi që të gjithë pasagjerët në fluturimet për dhe nga Kina, duhet të mbajnë maska. Po ashtu u tha se qeveritë e BE-së mund të aplikojnë testime rastësore të pacientëve që arrijnë nga Kina dhe po ashtu do të marrin mostra dhe të testojnë ujërat e zeza nga avionëve që vijnë nga Kina.
Testin negativ për udhëtarët nga Kina veçse e kërkojnë autoritetet në Spanjë, Francë dhe Itali.
Kina tashmë ka kundërshtuar këto veprime, duke paralajmëruar për “kundërmasa” nëse një politikë e tillë do të vendosej në mbarë bllokun evropian.
Pekini, pas pothuajse tre vjetësh, muajin e kaluar njoftoi për lehtësimin e masave.
Rastet me koronavirusin e ri fillimisht ishin regjistruar në fund të vitit 2019 në Kinë. Që atëherë, ky virus ka vrarë mbi 6.7 milionë persona në mbarë botën. /Rel/